Shkolla 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi” është thyer dhe është vjedhur gjatë natës nga persona të paidentifikuar.
Autorët kanë hapur një prej dritareve që ndodhen në pjesën e pasme të shkollës dhe kanë mundur që të hynë brenda, ku kanë vjedhur një video-projektor dhe një ekspres kafeje. Nga burime brenda shkollës, “DurrësLajm” mëson se ata kanë hyrë në çdo klasë dhe gjithashtu në zyrën e drejtorisë, ku kanë thyer dyert dhe të gjitha orenditë shkollore, por nuk kanë vjedhur asnjë kompjuter që ndodhet në drejtori apo në sallën e informatikës.
Sapo kanë mësuar për ngjarjen dhe kanë parë gjendjen e shkollës, nxënësit i ka kapluar paniku dhe janë larguar për në shtëpi.
Ndërkohë, policia ndodhet në vendngjarje dhe po mbledh gjurmët e gishtërinjve që mund të kenë lënë autorët, për të bërë të mundur identifikimin e tyre. Paraprakisht, dyshohet se autorët mund të jenë narkomanë të zonës përreth.