Tiranë, 6 maj 2014  – Vidhet në Tiranë banesa e një të afërmi të zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Sokol Bizhga. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në datën 1 maj 2014, por është mbajtur në sekret të plotë për disa ditë. Burime policore thanë se shtëpia e shtetasit Qani Bizhga, në rrugën “Shyqyri Ishmi” në Tiranë, është vjedhur nga persona të paidentifikuar, shkruan “Panorama”. 

“Ngjarja ka ndodhur në datën 1 maj rreth orës 21:00 të mbrëmjes, në kohën kur në banesë nuk ka pasur njeri”, thanë burimet e Policisë. Sipas tyre, autorët kanë arritur të marrin rreth 550 mijë lekë.

“Shuma e vjedhur përbëhet nga një mijë euro, 500 dollarë dhe pjesa tjetër në lekë”, – thanë burimet policore. 

Ndërkaq, ngjarja ka mbetur e pakonfirmuar zyrtarisht. Strukturat e Policisë së Tiranës mësohet se kanë nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa ende nuk dihet sa kanë qenë autorët që kanë kryer vjedhjen. Ata kanë hyrë në banesë pasi kanë arritur të hapin derën me anën e një karte magnetike. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/