Një ngjarje e pazakontë ka tronditur komunitetin e besimtarëve në fshatin Dragostunjë të Librazhdit. Xhamia e zonës është bërë objekt i një vjedhjeje gjatë natës, ku persona ende të paidentifikuar kanë arritur të marrin një shumë të konsiderueshme parash, e cila dyshohet të jetë rreth 13 mijë euro.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh mes besimtarëve dhe banorëve të zonës, të cilët e cilësojnë këtë si një akt të paprecedentë. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, autorët kanë shfrytëzuar momentin kur xhamia ishte e boshatisur dhe, duke thyer një nga dritaret, kanë arritur të hyjnë brenda dhe të vjedhin fondet e grumbulluara nga donacionet e besimtarëve.

Imami i xhamisë e ka konfirmuar ngjarjen, duke theksuar se kjo është hera e parë që ndodh një akt i tillë në këtë institucion kulti. Ai ka kujtuar se, që nga rihapja e xhamive në Librazhd pas viteve ‘90, nuk është regjistruar asnjë rast i ngjashëm. Besimtarët kontribuojnë çdo vit me shuma të konsiderueshme në arkën e xhamisë, dhe vetëm vitin e kaluar janë mbledhur rreth 3.4 milionë lekë. Po ashtu, gjatë muajve të parë të këtij viti, në prag të Fitër Bajramit, janë dhuruar fonde të tjera, çka mund të ketë tërhequr vëmendjen e autorëve të vjedhjes.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve, por deri tani nuk ka asnjë të dhënë konkrete mbi të dyshuarit.