Jo vetëm banesa dhe biznese, por edhe objektet e kultit kanë rënë pre e hajdutëve në Durrës. Së fundi, xhamia e katër minareve në zonën e plazhit që mban emrin Riza Bajrami, ishte objekt i një vjedhjeje të pazbardhur ende nga policia. Edhe pse nën mbikëqyrje të rreptë të kamerave të sigurisë, një person ende i paidentifikuar ka vjedhur donacionet e besimtarëve myslimanë që gjenden në kutinë e përcaktuar për këtë qëllim.

Ngjarja është shënuar pasditen e 1 marsit rreth orës 15 e 30 minuta, por hajduti ende nuk është identifikuar nga policia. Madje ngjarja nuk është pasqyruar në komunikatën ditore lokale të policisë, por është dhënë vetëm në komunikatën e drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në këtë xhami, administratorët bëjnë me dije se ngjarja është filmuar e gjitha. Personi që hiqej si besimtar mysliman ka marrë një sasi parash ende të papërcaktuar, është futur në vendin e përcaktuar për falje, ka kryer ritet e zakonshme, dhe më pas ka marrë paratë nga kasa. Pasi ka kryer faljen për rreth 10 minuta, ai ka marrë edhe sasinë e parave që hedhin besimtarët myslimanë në ndihmë të xhamisë, dhe është larguar me qetësi nga xhamia.

Denoncimi është bërë nga përfaqësuesit e xhamisë në polici, dhe nga verifikimi i pamjeve filmike është vënë re që “hajduti”, i cili hiqej si besimtar, ka qenë edhe herë të tjera në këtë xhami. Pas vjedhjes së parave ai nuk është parë më aty. Policia e Durrësit nuk dihet nëse e ka identifikuar apo jo hajdutin, e cili hiqet si besimtar e vjedh paratë e vakëfit.

K.H