Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Kavajës për vjedhje të banesave dhe lokaleve. Njëri prej të arrestuarve, mësohet se është me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, si dhe falë informacioneve të marra në rrugë operative, bënë ndalimin me iniciativë të shtetasve: Ll. T., 35 vjeç, banues në Kavajë dhe A. P., 29 vjeç, banues në Kavajë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja””, njoftoi policia.
Dy të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me thyerje lokalin në pronësi të shtetasit A. Sh., ku kanë marrë 2 televizorë dhe 1 kompjuter.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të vjedhjeve në disa banesa dhe 1 piceri, konkretisht:
– Më datë 22.06.2020 kanë vjedhur dy televizorë në picerinë e shtetasit B. Xh.;
– Më datë 29.06.2020 kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetasit B. Ç., ku kanë marrë një çiklomotor dhe një televizor;
– Më datë 14.07.2020 kanë vjedhur një televizor në banesën e shtetasit K. M.;
– Më datë 19.07.2020 kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetasit O. M., ku kanë marrë disa sende elektroshtëpiake.
Gjatë kontrollit të mjetit me të cilin këta shtetas qarkullonin dhe kryenin vjedhjet u gjeten dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 televizorë, 1 kompjuter dhe sendet që dyshohet se këta shtetas i përdornin për të kryer vjedhjet.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në rrethin e Kavajës, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.





