Tre shtetas rumunë janë shpallur në kërkim nga policia e Tiranës, pasi akuzohen për vjedhje në bankomate apo institucione financiare përmes kartave të klonuara apo ndërhyrjeve kompjuterike.

“Finalizimi i operacionit policor të koduar “Goldish Axe”, gjatë të cilit u dokumentua ligjërisht veprimtaria kriminale e 3 shtetasve rumunë, të cilët me anë të prodhimit të kartave të kreditit të klonuara, kartave të kreditit të vjedhura dhe duke dëmtuar bankomatë të ndryshëm, për të ndërhyrë më pas në sistemet e tyre kompjuterike, kanë vjedhur shuma të ndryshme monetare, në institucione të ndryshme financiare që operojnë në qytetin e Tiranës. Gjatë hetimeve të këtij operacioni policor, janë zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore  4 vjedhje të kësaj natyre dhe 2 të tjera të mbetura në tentativë.

Vijon puna në bashkëpunim më Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Zyrën e INTERPOL TIRANA, për kapjen e këtyre shtetasve.”, sqaron policia.