Zbardhen 3 raste të vjedhjeve në Durrës, arrestohen dy persona. Njëri prej tyre kanosi me thikë punonjësin e një dyqani dhe mori pajisje elektronike, ndërsa autori tjetër ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” po për vjedhje.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas njoftimit të marrë për një vjedhje me dhunë, në një dyqan pajisjesh elektronike, në lagjen nr. 4, Durrës, organizuan punën për kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, të kryera nga Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fast”, u mundësua pak orë pas kryerjes së vjedhjes, lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar të rastit, shtetasit S. Dede, 44 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ka kanosur me mjet prerës (thikë), punonjësin e dyqanit, dhe ka marrë aty, pajisje elektronike.
Po gjatë operacionit “Fast’, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, Policia ka kapur dhe vënë në pranga dhe autorin e dyshuar të 2 vjedhjeve të ndodhura në një market në lagjen nr. 10 dhe në një automjet në lagjen nr. 12.
Në vijim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Shqarthi, 35 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, po për vjedhje dhe dilte për të kryer vjedhje përsëri.





