Ishin të implikuar në 5 vjedhje e tentativa për vjedhje gjatë 2 muajve, arrestohet një 28-vjeçar dhe procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, bashkëpunëtori i tij 17 vjeç, të dy nga Durrësi.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, menjëherë pas kallëzimeve të marra për vjedhje dhe tentativa për vjedhje, në banesa dhe në ambiente të tjera, në lagjet nr. 13 dhe nr. 14, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, vunë në pranga shtetasin Renato Meta, 28 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 17 vjeç, të dy banues në Durrës.

Këta 2 shtetas, dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin:

-më datë 14.02.2024, kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit A. M., në lagjen nr. 14;
-më datë 11.02.2024, kanë tentuar të vjedhin pajisje, në një magazinë në pronësi të shtetasit R. B., në lagjen nr. 14;
-më datë 30.01.2024, kanë vjedhur një laptop, në banesën e shtetases P. G., në lagjen nr. 13;
-më datë 26.01.2024, kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetases M. T., në lagjen nr. 13;
-më datë 13.01.2024, kanë vjedhur pajisje, në banesën e shtetases M. Xh., në lagjen nr. 13.

Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.