Në vigjilje të muajit të madhërueshëm të Ramazanit, komuniteti mysliman po përgatitet për muajin e sakrifikës. Ndryshe nga çdo vit tjetër, pandemia Covid-19 ka penalizuar çdo aktivitet fetar në objektet e kultit. Xhamia e Madhe e qytetit, megjithëse qëndron hapur, është totalisht e zbrazët. Besimtarët prej rreth 6 javësh i kryejnë faljet e 5 vakteve dhe faljen e së premtes në shtëpitë e tyre.
Për imamin e Xhamisë së Madhe të Durrësit, Ervin Qylafku, pavarësisht penalizimeve, besimi në zot mbetet i fortë dhe i qëndrueshëm.
“Besimtari kudo qoftë është i përkushtuar ndaj zotit dhe obligimet që vijnë nga feja mund të kryhen jo vetëm në objektin e kultit, në xhami, por edhe në shtëpitë e gjithsecilit apo kudo qofshin”,- thotë imami Qylafku.
Gjatë kësaj periudhe pandemie, komuniteti mysliman në Durrës është angazhuar edhe për t’u ardhur në ndihmë më të varfërve, për të dërguar pako me ndihma tek ata që më shumë se kurrë kanë nevojë sot për humanizëm.
“Rreth një javë më parë ne përfunduam shpërndarjen e 200 pakove ushqimore për besimtarët dhe jo vetëm, ndërkohë që këto ditë presim një kontigjent tjetër pakosh, që do të shpërndahen jo vetëm tek myslimanët, por edhe tek të gjithë ata që janë në kushte mjaft të vështira ekonomike”, – bën të ditur imami Qylafku për DurrësLajm.
Duke u ndalur tek mesazhi për besimtarët myslimanë që kanë nisur përgatitjet për muajin e shenjtë, imami i Xhamisë së Madhe të Durrësit thekson se pavarësisht kufizimeve për shkak të koronavirusit besimtarët duhet ta kalojnë sa më mirë dhe gëzueshëm këtë muaj të shenjtë sakrifice ndaj zotit.
“Mesazhi ynë për besimtarët në këtë muaj të madhërueshëm është që ata ta kalojnë sa më mirë dhe me sa më shumë atmosferë, pavarësisht se mund të jenë të privuar deri diku me raportet që duhet të mbajnë me praninë në xhami. Ne si besimtarë predikimet, adhurimet dhe përkushtimin tonë ndaj Allahut mund t’i bëjmë edhe në shtëpitë tona, sepse sikurse thotë profeti Muhamed toka e zotit është e gjitha xhami, vend përkushtimi. E lusim zotin e madh që ta lehtësojë këtë gjendje që po kalon e gjithë bota dhe besimtarët ta kalojnë sa më gëzuar muajin e Ramazanit”, thotë imami Qylafku.
Muaji i Ramazanit nis ditën e premte, datë 24 prill. Ramazani është muaji ku besimtarët myslimanë ndërpresin ushqimin e pijen, duke filluar që nga nisja e agimit deri në perëndim të diellit (nga syfyri deri në iftar); është një muaj i vlerave të larta njerëzore, morale e sociale, muaji i solidaritetit dhe bashkëpunimit, muaji dedikuar më shumë adhurimit dhe këndimit të Kuranit, muaji i sadakasë dhe i mirëbërësisë, muaji i mëshirës, virtytit dhe dhembshurisë.
M.B.





