Më shumë se një muaj e gjysmë nga tërmeti i cili shkatërroi Durrësin, qytetarët e dëmtuar nuk kanë marrë ende bonusin e qirasë.
Banorët vijnë në bashki, intersohen për bonusin e qirasë, por nuk marrin asnjë shpjegim. Ata thonë se bashkia po tallet me qytetarët e dëmtuar, pasi si përgjigjje ju thonë që “shkoni në bankë të merrni paratë e bonusit” por në bankë nuk po marrin asgjë.
E ndërsa kanë dalë nga apartamentet e tyre të dëmtuar rëndë, ata i kujtojnë kryeministrit ku e ka korrektësinë me qytetarët. “Po për të rregulluar shtëpitë kur do fillojnë apo në fund të vitit?”, shprehet i revoltuar një qytetar.
Një tjetër banor nga zona rurale e Durrësit thotë se ka ardhur disa herë në bashki për të aplikuar, dhe është sorollatur, pasi nuk ka mundur të plotësojë dokumentat që i kërkohen për bonusin.
“Nuk dua ndihma as makarona e as ushqime, do vetëflijohem”, thotë ai. Një tjetër banore thotë se i ka plotësuar të gjithë dokumentet dhe është në pritje.
“DurrësLajm” ka pyetur nënkryetarin e bashkisë, Florian Tahiri, i cili tha se bonusi i qirasë është miratuar për 990 emrat e parë në listë që më 31 dhjetor.
“Bonusi i qirasë hidhet çdo muaj, dhe problem ka qenë se bankat kanë rikthyer listat e dërguara nga bashkia sepse këkrojnë që numri i llogarisë të korrespondojë me kërkesën e personit për bonus qiraje, ndërsa ka edhe banorë që numër llogarie kanë vënë të një familjari që disponon një të tillë.
Bankat kërkojnë që numri i llogarisë të jetë i njehësuar me personin përfitues dhe ky numër llogarie të jetë marrë me vërtetim në bankë. Pikërisht kjo kërkesë ka bërë që bankat të kthejnë listat e bashkisë mbrapsht dhe qytetarët të mos marrin bonusin.”, sqaroi Tahiri.
K.H.





