Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut e kanë nisur me tensione këtë vit të ri.

Ministria e Jashtme në Sofje e ka akuzuar palën maqedonase se nuk po zbaton kushtet e planit francez të vitit 2022 për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Reagimi i Sofjes erdhi pasi Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e akuzoi Bullgarinë se po kundërshtonte Planin e tij të Veprimit për Minoritetet, sepse teksti është në gjuhën maqedonase.

Shkupi vijon prej disa vitesh që të refuzojë kushtin që të përfshijë bullgarët në Kushtetutë, edhe pse është kushti kryesor edhe i Brukselit tashmë për të hequr bllokadën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Plani i veprimit për mbrojtjen e minoriteteve është pjesë e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Sipas Mickoskit, ky plan nuk ka lidhje me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Ai pranoi se qeveria e tij aktualisht nuk ka kontakte me Bullgarinë, por shprehu gatishmërinë për të shkuar në Sofje për të paraqitur argumentet e tij.