Procesi i aplikimit për platformën online të rindërtimit ka nisur në Durrës dhe po vijon normalisht pranë njësive administrative. DurrësLajm ishte gjatë ditës së sotme pranë njësisë administrative nr.1, e cila përfshin lagjet nr.1, 2,3 dhe 4.
Për të evituar fluksin e qytetarëve, pranë kësaj njësie do të aplikojnë vetëm banorët e lagjeve nr.2 dhe 4, ndërsa banorët e lagjeve nr.1 dhe nr.3 do të aplikojnë në sportelet e ngritura pranë Policisë Bashkiake.
Kreu i njësisë administrative nr.1, Roland Çobani bëri të ditur se procesi po vijon normalisht dhe çdo qytetari i duhet mesatarisht 15 minuta për të dhënë të dhënat pranë punonjësit, që kryen aplikimin online.
Për të kryer aplikimin, çdo banor i Durrësit, i dëmtuar nga tërmeti, duhet të paraqitet pranë njësisë administrative me këto dokumente me vete:
- Çertifikatë pronësie (fotokopje)
- Çertifikatë familjare
- Kartë identiteti (fotokopje)
- Nr. e llogarisë në bankë
Qytetarët do të lënë pranë punonjësit që kryen aplikimin edhe numrin e telefonit dhe një adresë e-mail-i, ku do të njoftohen në vijim për ecurinë e procesit.
Kreu i njësisë, Roland Çobani sqaron procedurën e aplikimit edhe për personat që janë të prekur nga tërmeti, por janë emigrantë. Koha e shkurtër (1 muaj) deri në mbylljen e procesit nuk u jep mundësi të gjithë emigrantëve të kthehen në atdhe dhe të aplikojnë personalisht, për këtë arsye ata duhet t’ia delegojnë këtë kompetencë një njeriut të tyre përmes një prokure. Do të jetë më pas ky person që do të kryejë aplikimin në adresë të emigrantit apo të çdo personi tjetër që nuk ka mundësi fizike të paraqitet pranë njësisë administrative.
Çobani u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti të vijnë dhe të aplikojnë. Ndërkohë, për pallatet apo banesat që akoma nuk ka dalë akt-konstatimi, qytetarët do të nisin të aplikojnë nga java e ardhshme.
Aplikimin secili qytetar duhet ta bëjë pranë njësisë administrative ku banon. Në Durrës janë 6 njësi administrative për qytetin dhe 5 për ish-komunat Rrashbull, Katund i ri, Ishëm, Manzë dhe Sukth.
M.B.





