Një kioskë me strukturë druri ka qenë objektiv i punës së inspektorëve të IMT Durrës, paraditen e sotme.

Kioska pa leje ishte vendosur në një hapësirë publike në afërsi të Urës së Dajlanit në Durrës, pranë hyrjes nr.4 të portit detar.

Struktura e drunjtë u spostua nga mjetet e rënda të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, ndërkohë që në ditët në vijim pritet një tjetër aksion në Durrës për lrimin e hapësirave publike.

“DurrësLajm” mëson se këtë herë, aksioni do të përqendrohet pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve për të liruar të gjitha hapësirat publike nga uzurpuesit e tyre.

Prej më shumë se një jave, kryeministri Rama ka urdhëruar një aksion të gjerë në mbarë vendin për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje. Aksioni në shkallë të gjerë,, që startoi nga Thethi dhe Vlora u spostua shumë shpejt në qytete të tjera të vendit.

Ndërkohë pasojë e këtij aksioni ishin dhe dorëheqjet masive të drejtorëve, nënkryetarëve t# bashkive, drejtues të njësive administrative etj në shkallë vendi, të cilat pasuan ultimatumin që kreu i qeverisë u la kryebashkiakëve gjatë vizitave në disa bashki si Vlorë, Fier, Durrës, Elbasan etj, apo edhe në takimin e përbashkët që zhvilloi me të gjithë krerët e pushtetit vendor të premten e kaluar në Durrës.

M.B.