VLORE, 29 mars 2013 – Ende asnjë shenjë nga dy peshkatarët e zhdukur mëngjesin e sotëm në afërsi të Zvërnecit.
Prej disa orësh vijon operacioni i shpëtimit, pjesë e të cilit janë strukturat e Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare dhe Kapitenerisë së Portit të Vlorës, ndërkohë që n kërkim janë vënë edhe dy helikopterë.
Shefqet Bruka, shef i Qendrës Operacionale Detare ka thënë se katër mjete po kërkojnë për gjetjen e dy të rinjve, përfshirë patrullimin nga ajri.
“Ka një operacion të gjerë të organizuar nga roja bregdetare, nga policia kufitare në hapësirën detare dhe një mjet i Guardia di Financia. Aktualisht po kërkojnë 4 mjete dhe një helikopter. Nga informacionet nga terreni nuk kemi konstatuar gjurmë të peshkatarëve. Kërkimet janë përqendruar në zonën e Vlorës, në Karaburun, po kërkohet në rreze prej katër milje. Ka nisur kërkimet edhe helikopteri”, ka thënë Bruka.
Ai nënvizon se kërkimet kanë nisur në kohë dhe do të vijojnë pa ndërprerje për gjetjen e të rinjve.
Njëri prej peshkatarëve të zhdukur në Zvernec është Fatmir Ismaili, 25-vjeç, ndërkohë që peshkatari tjetër është Gëzim Bashllari. Ata kishin dalë për peshkim në orët e para të mëngjesit të sotëm, me një mjet të vogël lundrues, por moti i keq dhe deti me dallgë të mëdha duket se i ka marrë me vete.
Kanë qenë familjarët e tij që kanë dhënë alarmin për ndihmë, duke kërkuar ndërhyrjen e strukturave të specializuara, pasi sipas tyre kanë humbur kontaktin me telefon me ta.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





