Për të tretën ditë radhazi ka vijuar aksioni i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe Bashkisë së Tiranës për prishjen e ndërtimeve pa leje, që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe, në segmentin nga mbikalimi te Pallati me Shigjeta deri te Dogana.
Mjetet e IMT-së dhe Bashkisë se Tiranës kanë vijuar me intensitet punën për shembjen e objekteve të tjera.
Paralelisht, grupet e inxhiniereve të ARRSH-së po vijojnë punën në terren me procesin e vlerësimit dhe të matjeve të objekteve që do të shemben.
Të gjitha familjet që ndërtesat i kanë me leje do të shpronësohen sipas parashikimeve që bën ligji, ndërsa për ata që s’kanë dokumente pronësie ofrohet mbështetje sociale, duke filluar që nga bonusi i qirasë e deri te banesat sociale.
Ndërkohë, familjet e para kanë filluar që të vendosen në banesat sociale. Bashkia e Tiranës ka sistemuar të gjitha apartamentet, si dhe i ka mobiluar ato me të gjitha orenditë dhe pajisjet elektro-shtëpiake duke krijuar kushte komode për të jetuar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve, banesat e të cilëve preken nga gjurma e Unazës së Madhe që të aplikojnë pranë njësive vendore për të përfituar nga paketa e programeve sociale, veçanërisht për banesa sociale, të cilat mund t’i mbajnë në përdorim pa afat.
Ai iu bëri thirrje banorëve të zonës së Unazës së Madhe që të mos bien pre dhe të përdoren politikisht nga opozita.





