Vijon edhe ditën e sotme protesta e pedagogëve, duke shënuar kështu ditën e pestë. Në orën 10:00 është lajmëruar që pedagogët do të mblidhen te Korpusi i Politeknikut, duke vijuar me kërkesat e tyre drejtuar qeverisë.
Ndërkohë kujtojmë se pedagogët kanë njoftuar bojkot të mësimit pa afat, deri në plotësimin e kërkesave, ku kryesorja është ajo për rritjen e pagave dhe shtimi i buxhetit për kërkim shkencor.
Sakaq, ftesa për t’iu bashkuar protestës u është bërë edhe studentëve.
DEKLARATA E SPUSH:
Së pari, SPUSH falenderon të gjithë ata që morën pjesë në protestën kombëtare, të datës 20 Tetor 2022, ora 11:00, e cila pati një sukses të plotë.
Aty u komunikua vendimi për:
1. Vijimin e Bojkotit Total:
Çdo ditë ora 10.00 të gjitha universitetet e Tiranës dhe të gjitha fakultetet e tyre mblidhen para godinës së Korpusit Qendror të UPT-së.
Universitetet e rretheve të vazhdojnë bojkotin me grumbullim para fakulteteve, ose në një vend të përbashkët të përcaktuar.
2. I bëhet thirrje Dekanateve të mbledhin sa më shpejt Asambletë e Personelit Akademik nëpër Fakultete, për analizë dhe solidarizim, por dhe për shtim të pikave konkrete që janë jetike për një proces mësimor bashkëkohor.
3. I vemë në vemendje Këshillave Studentorë nevojën për mbështetjen totale të pedagogëve të tyre dhe të kërkesave të tyre për një financim më dinjitoz të universiteteve tona.