Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë përditësuar të dhënat lidhur me situatën e Covid-19 në vend përgjatë 24 orëve të fundit.
Mësohet se në harkun kohor të lartpërmendur janë testuar 3.788 persona të dyshuar për koronavirus, prej të cilëve 92 kanë rezultuar mbartës të virusit.
Fatmirësisht, gjatë 24 orëve të fundit nuk është shënuar asnjë viktimë, ndërsa janë shëruar 16 qytetarë duke e çuar numrin në total në 105.657. Bëhet me dije se aktualisht numri i rasteve aktive është 442.
Ndërkohë, sa i përket procesit të vaksinimit, në 24 orët e fundit janë dhënë 15.221 doza vaksine antiCovid, kurse 146.215 qytetarë kanë marrë dozën e dytë deri më tani.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 428.818 doza të vaksinës.





