Prej disa ditësh ka nisur në Durrës shpërndarja e teksteve shkollore për të gjithë nxënësit e ciklit parauniversitar.

“DurrësLajm” ishte në një nga pikat ku shpërndahen tekstet për shkollat e mesme të qytetit dhe institucionet arsimore jo publike për të parë nga afër ecurinë e këtij procesi.

Vihej re një interesim i shtuar i prindërve, por edhe vetë nxënësve për të blerë tekstet mësimore. Sipas shpërndarësit Julian Muhaj, i gjithë procesi po ecën mjaft mirë dhe nuk ka mungesa në tekste.

E njëjta gjë konfirmohet edhe nga Zyra Vendore Arsimore.

Ndërkohë çmimet për tekstet e ciklit të mesëm duken të arsyeshme për vetë nxënësit dhe prindërit e tyre. Ata shprehen se i kanë marrë të gjitha librat për këtë vit shkollor dhe presin tashmë nisjen e vitit të ri më datë 8 shtator.

Shpërndarja e teksteve mësimore bëhet paralelisht pranë shkollave të qytetit, por edhe pikave të hapura nga distributorët, të cilat funksionojnë edhe gjatë pasditeve.

Nga e hëna e kësaj jave, nisi shpërndarja e librave shkollor falas për 236 mijë nxënës në të gjithë vendin, lajm të cilin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama. Të gjithë nxënësit e ciklit fillor dhe të mesëm të ulët (deri në klasën e IX) i përfitojnë tekstet falas.

Shpërndarja e teksteve shkollore do të vazhdojë deri më datë 7 shtator, një ditë përpara nisjes së vitit të ri shkollor.

M.B.