Në ambientet e Galerisë së Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës, pasditen e të mërkurës është hapur ekspozita në kujtim të piktorit të ndjerë durrsak, Nikolet Vasia.
E titulluar “10 vite pa Nikoletin” – In Memoriam, ekspozita çeli siparin më 28 korrik dhe do të qëndrojë e hapur për artdashësit e qytetit bregdetar deri më datë 30 gusht.
Në ekspozitën ku merrnin pjesë figura të njohura të artit dhe të qytetit bregdetar si dhe miq e familjarë të piktorit Vasia, u ekspozuan piktura nga fondi i galerisë dhe koleksione private.
Një ndër miqtë dhe kolegët e Vasias, Abaz Hodo, duke analizuar disa vepra që veçonin piktorin e ndjerë gjatë karrierës artistike, gjatë fjalës së tij vlerësoi figurën e piktorit si dhe kontributin e tij si artist dhe profesor.
“Është një nga artistët më produktivë, për numrin e veprave, por ajo që e dallon Nikolet Vasinë është ritmi, dinamika që ka kompozimi. Ai ishte vërtetë mjeshtër në problematikat që ka arti dhe mënyrën si i zgjidhte. Dua të përmend Nikolet Vasinë edhe për kontributin e tij si pedagog. Kam punuar shumë gjatë me të dhe kam parë seriozitetin maksimal të tij për të punuar me nxënësit, për t’iu dhënë atyre atë shpirt, atë pasion për artin.”, tha ndër të tjera Hodo ndërsa theksoi se pavarësisht se Vasia është ndarë nga jeta, ka lënë shenjë në fushën e artit.
Irida Vasija, e bija e piktorit Nikolet Vasia u shpreh e emocionuar për respektin dhe vlerësimin që të pranishmit në ekspozitë dhe jo vetëm tregojnë ndaj të atit, punimeve të tij të paçmueshme.
“Dhe pse u bënë kaq vite, ai vijon të jetë mes nesh përmes veprave. Ka lënë një impakt të jashtëzakonshëm në qytetin e Durrësit dhe në jetën artistike”, thotë ajo.
Eventi kulturor erdhi nën kurimin e Alketa Tragaj Myshketa.
Piktori Nikolet Vasia lindi më 5 gusht 1947 dhe u nda nga jeta më 28 korrik 2011, një javë para se të festonte përvjetorin e 64-rt të lindjes. Artisti i kompletuar durrsak ka punuar në të gjitha gjinitë e artit pamor: pikturë, skulpturë, mozaik, pikturë murale, vitrazh, skenografi dhe grafikë, ndërsa la pas një pasuri artistike mjaft të vyer.