27 shkurt 2015 – Në orën 02:00 të mëngjesit të së enjtes, më 26 shkurt 2015 karabinierët e qytezës së Suzas (Susa) afër Torinos u lajmëruan me telefon për një vjedhje banese. Kur karabinierët mbërritën në banesë, gjetën të zotin e banesës, që i kishte mjekuar dhe fashuar kokën njërit prej hajdutëve.
Tre hajdutë shqiptarë po vidhnin apartamentin në fjalë. I zoti i shtëpisë i pikasi dhe menjëherë dha alarmin. Tre hajdutët ia mbathën, por njëri prej tyre u pengua te parmakët e shkallëve të brendshme duke u rrëzuar nga një lartësi prej 2 metrash.
Dy “kolegët” e tij u larguan bashkë me portofolin e vjedhur të të zotit të shtëpisë, ndërkaq italiani njoftoi karabinierët duke i dhënë edhe ndihmën e parë hajdutit të plagosur. I plagosuri është 28 vjeçari Taulant Goshja. Ai ka pësuar frakturë të gishtave të tretë dhe të pestë të dorës së djathtë, çarje të lëkurës së ballit, çarje të buzës dhe hematoma plagë këto të shërueshme për 30 ditë.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





