“Bilanci ditor i viktimave nga koronavirusi në Evropë është rritur me thuajse 40 për qind krahasuar me një javë më parë” – tha Organizata Botërore e Shëndetësisë
Zëdhënësja e OBSH, Margaret Harris, tha se Franca, Spanja, Britania e Madhe, Holanda dhe Rusia kontribuojnë me shifrat më të larta në bilancin total,
Ekziston shqetësimi – paralajmëroi ajo, se njësitë e kujdesit intensiv në spitale tani po fillojnë të mbushen me të sëmurë. Rusia, raportoi një rekord ditor prej 320 viktimash duke e cuar totalin në 26589. Ka patur një rritje të ndjeshme edhe në Itali po ashtu, me 221 viktima të raportuara në 24 orët e shkuara. Ndërsa edhe infektimet janë rritur shumë në Itali, në thuajse 22 mijë në 24 orët e shkuara, zyrtarët thanë se është rritur edhe numri i testeve të bëra. Ndërkohë, protesta të shumta janë zhvilluar në qytetet e vendit kundër kufizimeve të reja.
Numri i viktimave në Austri shkoi në mbi 1 mijë të martën ndërsa në Belgjikë, mjekëve u është kërkuar të vazhdojnë të punojnë edhe nëse janë prekur nga virusi pasi sistemi shëndetësor është në rrezik kolapsi. Në Francë, autoritetet po diskutojnë për marrjen e masave më strikte me ministrin e brendshëm që paralajmëroi njerëzit të përgatiten për vendime të vështira. Sllovakia ndërkohë do të fillojë të testojë të gjithë popullatën nga kjo fundjavë në përpjekje për të evituar masat më të ashpra. Ne kemi dy mundësi, testim të përgjithshëm ose izolim të plotë – tha kryeministri. Republika çeke vazhdon me ndalim qarkullimin gjatë natës, ndërkohë që të gjithë dyqanet do të mbyllen të dielave, ndërsa ditët e javës mbyllen në orën 20.00.