Qendra për Nisma Ligjore pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në Durrës, e cila ofron shërbim falas për qytetarët në nevojë, së fundmi i ka ardhur në ndihmë një 33-vjeçareje e cila kishte rënë pre e dhunës në familje çka e detyroi atë të ndërmarrë aktin e prishjes së kurorës pas 16 viteve martesë.
Shtetasja A.D., me arsim tetë vjeçar, e papunë, e mbijetuar e dhunës së bashkëshortit të saj, i është drejtuar për ndihmë ligjore, QNL-së ku avokatet Sonila Shehu dhe Alketa Kajmaku kanë trajtuar çështjen me objekt zgjidhjen e martesës dhe rregullimin e pasojave të saj.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi të pranojë kërkesën e të mbijetuarës së dhunës në familje në lidhje me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore duke ja lënë fëmijët nënës për rritje dhe edukim, duke vlerësuar në tërësinë e provave dhe dhënë urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje për shtetasen A.D. dhe fëmijët e saj, 16 dhe 12-vjeçar.
Me mbështetjen e Av.Iris Aliaj, pranë QNL, 33-vjeçarja është mbështetur me ndihmë ligjore falas për të marrë një “Urdhër Mbrojtjeje” nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për mbrojtjen e saj dhe dy fëmijëve të mitur nga dhuna e bashkëshortit, babait të fëmijëve për 1 (një) vit.
Kjo praktikë është në përputhje me rekomandimet e GREVIO-s për Shqipërinë, mekanizëm i cili kërkon nga shteti shqiptar që në një vendim gjyqësor që vendos për çështje familjare ku dhuna është prezente si për shembull, në rastet e zgjidhjes së martesës si në rastin 33-vjeçares, gjykatat t’i kushtojnë rëndësi të veçantë dhunës në familje, duke vlerësuar interesin më të lartë të fëmijës.
Mbështetja ligjore falas për A.D. është ofruar në kuadrin e zbatimit të projektit “Fuqizimi i grupeve të varfëra dhe të margjinalizuara përmes ofrimit të ndihmës juridike falas dhe edukimit ligjor, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës”, nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNL), me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim PNUD dhe fonde të Qeverisë së Turqisë.





