Eksperti i sigurisë dhe ish-drejtuesi i policisë, Fatjon Softa, ka komentuar garën për zgjedhjen e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, pas shkarkimit të Ilir Prodës, duke theksuar se fakti që kandidatët vijnë nga brenda sistemit është një zhvillim pozitiv.
Sipas Softës, në këtë garë dallohen tre kategori kandidatësh: drejtues qarqesh, drejtues administrativë që janë pjesë e strukturave të Drejtorisë së Policisë dhe ish-drejtues të lartë të policisë. Ai theksoi gjithashtu se në garë marrin pjesë edhe dy gra, çka sipas tij kontribuon në respektimin e barazisë gjinore.
Softa në News24 u shpreh se posti i drejtorit të Policisë së Shtetit është një funksion specifik dhe shpesh është konsideruar si një post me ndikim politik, duke theksuar se kryeministri, si drejtues i mazhorancës, mban përgjegjësinë për rendin dhe sigurinë në vend.
Ai kritikoi gjithashtu faktin se ndër vite asnjë ministër i Brendshëm nuk ka përfunduar një mandat të plotë dhe se çdo ndryshim në krye të ministrisë ka sjellë edhe largimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë, duke krijuar, sipas tij, anomali në funksionimin e institucionit.
Eksperti i sigurisë theksoi se drejtuesi i policisë duhet të zgjidhet përmes një gare të mirëfilltë dhe jo vetëm mbi bazën e emrit, por mbi një platformë konkrete. Sipas tij, çdo kandidat duhet të paraqesë një plan të qartë për risitë që do të sjellë në drejtimin e Policisë së Shtetit.
Softa nënvizoi gjithashtu se gjatë 35 viteve të fundit janë ndryshuar disa strategji në sektorin e sigurisë, duke shtuar se policia duhet të jetë e shkëputur nga ndikimi politik për të garantuar një funksionim më profesional dhe të qëndrueshëm.
“Rëndësi ka që gara është brenda sistemit. Ata që janë në garë, janë pjesë e strukturës së policisë, që është e admirueshme. Këtu dalloj tre kategori personash, drejtues qarku, drejtues administrativ, që janë pjesë e Drejtorisë së Policisë, dhe ish-drejtues të lartë.
Janë dhe dy zonja që garojnë në këtë garë, që plotëson dhe barazinë gjinore. Roli i drejtuesit të policisë, është specifik, pasi e kanë quajtur si post politik.
Kryeministri duhet të jetë ai që ka maxhorancën dhe që ka përgjegjësi rendin dhe sigurinë. Asnjë ministër s’ka kryer asnjë mandat të plotë dhe çdo ndryshim i tij ka sjellë largim i drejtorit të Përgjithshëm, duke krijuar anomali. Kam kërkuar që drejtuesi të zgjidhet me garë, dhe mos të ketë emër, por platformë.
Secili duhet të dorëzojë një platformë se çfarë do të sjellë risi në drejtimin e Policisë. Në 35 vite kemi ndryshuar strategji. Ndaj policia duhet të jetë e shkëputur nga politika.”, tha ai.
Duke u ndalur te shkarkimi i Ilir Prodës nga posti i drejtorit të Policisë së Shtetit, Softa tha se me këtë rast u gjet shkaku.
“Ka disa radhë para se të vish te drejtori i Përgjithshëm. Është Shefi i Rendit, i Qarkullimit Rrugor. Ky është menaxheri. Goditja ndaj një objekti, në vend që të merremi me ata që goditën, merremi me ata që u goditën.
Largimi nga detyra ka shkuar për çështje të tjera. Është teknik pozicioni i drejtorit të përgjithshëm, të ekspozuar janë strukturat.”,tha ai.
Softa u ndal te kandidati potencial si zëvendësues të Prodës, Softa tha se kusht është detyra e gjatë në këtë strukturë dhe se drejtori i ri duhet të ketë një konsensus të gjerë, si në rastin e Tonin Vocajt.





