Lorenco Vila është një nga futbollistët më të rëndësishëm të Teutës. Ai tashmë dhe këtë sezon do të jetë pika kyçe e Teutës në sulm. Vila ka bërë paraqitje të mira dhe pret që të ketë suksese me klubin durrsak. Sulmuesi i rritur në akademinë e Teutës është pjesë e rëndësishme e ekipit. Vila, komentoi miqësoret e Teutës dhe flet për gjendjen e tij e të skuadrës.

Keni zhvilluar disa miqësore dhe të gjitha barazime si i keni parë?

Rezultati është në plan të dytë në të tilla ndeshje. Kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore, por kemi treguar rritje nga ndeshja në ndeshje, ndaj Vllaznisë bëmë mirë dhe duhet të fitonim, por rëndësi ka loja e mirë, pasi fitoret do të vijnë. Ne kemi një ekip të mirë dhe besoj deri më 26 gusht do të jemi gati.

E keni parë rritjen e kësaj skuadre nga afër në vitet e fundit?

Jam shumë krenar të bëj pjesë në këtë grup dhe në këtë klub. Kemi një histori të madhe. Ka qenë gjithmonë një nder dhe një privilegj të luaj për Teutën. Gjendem shumë mirë me shokët e mi. Jam shumë i lumtur që do të jem për shumë kohë pjesë e Teutës.

Sa dëshirë ka për të arritur një trofe?

Ne jemi të vendosur për të fituar. Do të luajmë gjithmonë për të fituar dhe ky është objektivi ynë i vetëm. Do të bëjmë gjithçka për të qenë ndryshe këtë sezon. Po punojmë çdo ditë e më shumë, sepse vetëm me punë edhe djersë mund të arrihen disa gjëra.

Me aq keni parë deri më tani, cili është rivali më i fortë për Teutën për objektivat që ka?

Ata që kanë qenë gjithmonë, Teuta ka pasur gjithmonë rivalë të fortë për objektivat e saj. Është herët për të veçuar njërin prej tyre, sepse ekipet duan kohë të tregojnë gjithë potencialin e tyre. Duhen të paktën 4-5 javë për të dalluar forcën e vërtetë të skuadrave.

Ka Vila një objektiv personal tek Teuta?

Objektivat personalë, rekorde apo statistika, për mua janë të pavlera nëse nuk janë në shërbim të ekipit. Për mua rëndësi ka që unë të bëj më të mirën për skuadrën e Teutës. Ai do të jetë objektivi im personal.