Teuta se ka nisur mirë këtë sezon edhe humbja e fundit në kampionat ka rënduar disi skuadrën, ndaj Erzenit ishte Lorenco Vila, i cili shënoi në derbi, por që nuk shërbeu për tri pikët. Sulmuesi durrsak flet për ndeshjen e fundit të Teutës, dhe beson se ky moment do të kalojë.

Për arsye të ndryshme nuk keni gjetur golin në kohët e fundit. A ishte ky gol fillimi i Lorencos së dikurshëm?

Të them të drejtën unë e kam pritur këtë moment dhe besoja që do të vinte dhe shumë shpejt do të jem ai që kam qenë gjithmonë. Të vazhdoj të shënoj gola dhe të kontribuoj për ekipin.

Çfarë ndodh me Teutën, shënon e më pas nuk arrin të ruajë avantazhin?

Gjithmonë ndeshjet të tilla duhen mbyllur sa më shpejt. Është e vërtetë që bëmë një lojë të mirë deri te goli, edhe pse në fund çeduam. Goli i shpejtë na tërhoqi shpejt në mbrojtje, por nuk ishte dëshira jonë.

A ka presion në skuadër?

Futbolli është lojë gabimesh e duhet të durosh presionin. Presion duhet të ketë, është normal, por në nuk kemi asnjë lloj presioni, thjeshtë është një moment që duhet të jemi akoma më shumë të bashkuar dhe ta kalojmë këtë situatë, pasi askush nga ne nuk e dëshiron.

Çfarë prisni nga pjesa e mbetur e sezonit?

Do të jetë një gjysmë sezoni tepër i vështirë për ne dhe duhet të bëjmë mirë. Nuk duhet të bëjmë hapa të tjerë fals. Do ta përgatisim ndeshjen e radhës që të marrim maksimumin. Edhe kundërshtari vjen nga një anë jo e mirë psikologjike. Duhet të kemi dhe me pak fat, pasi dhe fati është pjesë e futbollit.

Gati një muaj kohe për ta përgatitur, mendoni se do t’i shërbejë ekipit?

Unë jam i bindur që ekipi ka forcën, por dhe kurajën që është më kryesorja dhe ka shpirtin e garës për t’u paraqitur në fushë sa më mirë të jetë e mundur. Mendoj që do të na bëj mirë për të korrigjuar gabimet e bëra deri tani dhe të jemi më të plotë.