Pas humbjes ndaj Egnatias, Teuta kërkon të rikthehet sa më shpejt në rrugën e duhur. Një nga lojtarët më me përvojë të skuadrës, mesfushori Emiliano Vila, analizon takimin, flet për ndikimin e periudhës së festave te ekipi dhe tregon se çfarë pret nga dy fazat e mbetura të kampionatit.

Si e vlerëson ndeshjen ndaj Egnatias dhe çfarë shkoi keq për Teutën?

Ndeshja ndaj Egnatias ishte e vështirë dhe e dinim që do përballeshim me një ekip shumë të organizuar. Në disa momente na mungoi përqendrimi dhe kjo na kushtoi. Duhet ta pranojmë rezultatin dhe të nxjerrim mësimet e duhura për ndeshjet e ardhshme.

A mendon se ekipi do e ketë të vështirë të rikthehet në ritëm pas periudhës së festave?

Është e vërtetë që periudha e festave ndonjëherë ndikojnë, por si profesionistë duhet të jemi gjithmonë gati. Nuk dua ta përdor këtë si justifikim thjesht duhet të punojmë më shumë për të qenë në 100% në çdo ndeshje.

Cila mendon se ishte pika ku Egnatia mori avantazh ndaj jush?

Ata shfrytëzuan gabimet tona dhe ishin shumë konkretë para portës. Në futboll, detajet bëjnë diferencën dhe sot detajet ishin në favor të tyre.

Si është gjendja e dhomës së zhveshjes pas kësaj humbjeje?

Sigurisht që nuk jemi të kënaqur, por grupi është i bashkuar. E dimë që kampionati është i gjatë dhe kemi ende shumë për të dhënë. Shikoj tek djemtë dëshirë për reagim.

Çfarë pret nga dy fazat e fundit të kampionatit?

Pres një Teutë më të fortë dhe më konsistente. Synimi ynë është të ngjitemi sa më lart në renditje dhe të luftojmë për çdo pikë. Nëse jemi të përqendruar dhe bëjmë lojën tonë, jam i bindur që do arrijmë rezultatet që duam.

Cili është mesazhi juaj për tifozët pas kësaj periudhe?

U kërkoj t’i qëndrojnë pranë ekipit si gjithmonë. Mbështetja e tyre na jep forcë dhe do bëjmë maksimumin që t’i gëzojmë në ndeshjet e ardhshme.