Emiljano Vila ishte vetëm 22 vjeç kur shënonte në Ligën e Kampioneve, pikërisht si pjesë e Dinamos në vitin 2011. Mesfushori durrsak, në atë kohë realizoi golin e vetëm të bluve në fitoren 1-0 ndaj Sherif Tiraspolit. Sot, 11 vite më pas, Vila rigjen moldavët, por këtë herë si pjesë e skuadrës së vendlindjes, Teutës.

Titullari i “djemve të detit” tregon për shanset që kanë durrsakët në duelin me Sherifin. Ai zbulon se ishte i vetmi futbollist i Teutës që dëshironte si rival moldavët në turin e parë, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës preferonte më tepër Dinamon e Tbilisit, madje edhe vetë trajneri Edi Martini.

Emiljano, si e pritët shortin që ju rezervoi një skuadër si Sherif Tiraspoli?

Për mendimin tim është një short i mirë, sepse mund të na binin ekipe edhe më të forta se Sherifi. Besoj se shanset për kualifikim janë 50 me 50. Sherifi është një skuadër me traditë në Moldavi dhe pjesëmarrëse e rregullt në Kupat e Europës. Disa herë është bërë edhe pjesë e grupeve të Ligës së Europës, kështu që në përgjithësi duke parë edhe se çfarë rrezikonim, do ta quaja një short të mirë.

Cilën nga katër skuadrat e mundshme do të preferonit më tepër në short?

Që kur mësuam rivalët e mundshëm, kam biseduar me shokët e ekipit dhe kam qenë ndër të vetmit që kam preferuar të na binte Sherifi. Shumica donin që të përballeshim me Dinamon e Tbilisit, por unë preferoja Sherifin.

Nga lojtarët aktualë të Teutës, bashkë me Asion Dajën jeni të vetmit që keni luajtur kundër ekipit moldav si pjesë e Dinamos në vitin 2010 për Ligën e Kampioneve. Çfarë kujtoni nga ai takim, ku fituat 1-0 me golin tuaj, por u eliminuat..?

Po, por në fakt u bënë plot 11 vite nga ajo ndeshje. Sigurisht që gjërat kanë ndryshuar shumë nga ajo kohë. Sherifin tani nuk është se e njoh shumë, por kur isha pjesë e Dinamos kujtoj që me pak fat duhet të ishim kualifikuar. Fituam 1-0 në Tiranë, por humbja 3-1 në Moldavi na penalizoi. Gjithsesi, siç e thasë edhe më lart, unë mendoj se këtë herë përballë Sherifit do të kemi shanse të barabarta për të kaluar turin. Kishte ekipe më të forta si Ludogoretsi apo Malmo. Ne do të provojmë gjithçka dhe shpresoj që të kemi fatin me vete.

Ndeshja e parë luhet në Durrës, më mirë kështu apo do të dëshironit ta zhvillonit një herë në Moldavi dhe të kthimit në “Niko Dovana”?

Nuk besoj se ka shumë rëndësi ndeshja e parë se në cilën fushë do të luhet. Për mua është njësoj, si në Durrës dhe Moldavi. Do të luajmë shanset tona për të synuar kualifikimin, duke marrë një rezultat sa më të mirë në ndeshjen e parë.