Një ditë pas vrasjes së punonjësit të kondicionerëve Indrit Çelaj, familjes së autorëve të vrasjes së 26-vjeçarit nga Mallakastra po i dalin probleme të tjera me ligjin.

Inspektoriati i Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit ka nisur verifikimet për ligjshmërinë e ndërtimit të vilës 3 katëshe të familjes Kusi, vend ku u vra dje nga Griseldo Kusi Indrit Çelaj.

Zyrtarët e IKMT-së dyshojnë se pronari i saj Bujar Kusi (i arrestuar dje për moskallëzim të krimit) ka shkelur lejen e dhënë nga Bashkia e Tiranës.

Për këtë rast, ka nisur procedimin kundër punonjësit të bashkisë së kryeqytetit që ka lejuar shtimin e punimeve të vilës së Bujar Kusit në shkelje me rregullat e ndërtimit.

Ndërkohë për familjen e Griseldo dhe Albano Kusit (të dy me precedentë penalë), personat që u konfliktuan dhe vranë Indrit Çelajn kanë nisur hetime për pastrim të parave.