Emiljano Vila është “i etur” për trofe. Pasi siguruan Kupë e Superkupë sezonin e fundit, ambiciet e tij dhe Teutës janë shtuar ndjeshëm. 32-vjeçari thekson se ata nuk janë një skuadër që bën premtime të mëdha, por vetëm realizon synimet e vendosura. Mesfushori është optimist për grupin e ndërtuar, ndërsa shpreson që një orë e më parë të plotësohen kërkesat e klubeve dhe futbolli të fillojë në Shqipëri.
Kampionati vazhdon të shtyhet, mendoni se do të ndikojë kjo vonesë?
Është një çështje për të cilën nuk më takon të flas, por e mira është që qeveria të kthejë kokën edhe nga futbolli. Shpresoj të plotësohen sa më shpejt kërkesat dhe topi të nisë të lëvizë.
Si paraqitet gjendja në këto ditë përgatitore?
Kushtet janë shumë të mira dhe temperaturat janë normale. Po përgatitemi 100% çdo ditë me përkushtim dhe me nga një seancë në ditë. Gjendja në ekip është e mirë dhe kryesorja është që s’kemi dëmtime.
Si i keni parë miqësoret e zhvilluara?
Miqësoret bëhen për të parë kondicionin fizik të lojtarëve dhe deri në startin e kampionatit jemi të bindur se do të jemi gati.
Shorti i ka rezervuar Teutës ndeshjen e parë më Skënderbeun në shtëpi, mendoni se do ta nisni mbarë?
Shorti është i vështirë. Skënderbeu vërtet po kalon një moment jo të mirë, por mendoj se janë ekipi që luan futboll të mirë. Ndaj, duhet të japim maksimumin.
Cili është objektivi i Teutës për sezonin e ri?
Ekipi u është përgjigjur më së miri kërkesave të teknikut deri më tani dhe kjo na jep shpresë për këtë kampionat. Objektiv do të kemi vendet e para të klasifikimit për të siguruar pjesëmarrjen në Europa League. Teuta ka ndërtuar një ekip me lojtarë të rinj, të cilët japin garanci. Nuk jemi skuadër që bëjmë premtime. Detyra jonë është që të flasim në fushë dhe t’i realizojmë synimet që na vendos klubi.
Po në aspektin personal, çfarë synoni të realizoni si pjesë e Teutës?
Synimi im është të vazhdoj të fitoj trofe me Teutën. Shpresoj të bëj ndeshje sa më të mira me skuadrën time dhe të rikthehemi më të fortë së një sezon më parë.





