Teuta luan të dielën në 16:45 me Kukësin, sfidë e vlefshme për javën e katërt të Superiores, me durrsakët që kanë bërë mirë deri tani dhe synohet sërish titulli kampion.

Mesfushori i Teutës, Emiljano Vila, flet për barazimin me Dinamon, atmosferën në ekip, si dhe tregon dëshirën që ka për duelin me Kukësin, ku shpreson që Teuta të marrë maksimumin me kryesuesit e kampionatit pas tri javëve të para.

Emiljano, u duk sikur Teuta u kënaq me një pikë ndaj Dinamos. Pse nuk guxuat më tepër?

Ndeshjen kundër Dinamos e kishim përgatitur për fitore, por normalisht duhet të ishim edhe të kujdesshëm. Dinamo, kur ka përballë ekipe që lënë hapësira, është shumë e rrezikshme. Mendoj se ashtu siç shkoi loja, barazimi ishte rezultati që kënaqi më shumë kundërshtarin. Nëse do të ishim pak më efektivë para porte, do ta fitonim ndeshjen.

Tani, radha të sfidoni Kukësin. Si e shikoni këtë takim?

Si çdo sfidë të radhës. Në 3 javë ndeshjet kanë treguar se nuk ka përballje të lehta. Ekipet janë aty-aty në paraqitje. Kukësi ka një ekip me djem të rinj që duan të promovohen dhe janë të motivuar në çdo ndeshje. Në të njëjtën shkallë motivimi duhet të jemi edhe ne, se në fund të fundit, çdo ndeshje është e barabartë me tri pikë.

Ka diçka që ju tremb para ndeshjes me verilindorët?

Jo, asgjë nuk më tremb. Siç e thashë, pres një ndeshje shumë të fortë. Nga ana jonë, kjo ndeshje do të këtë një vlerësim dhe angazhim maksimal, sepse është shumë e rëndësishme. Nuk i trembem asgjëje, si dhe kam besim, pasi kemi ekipin dhe lojtarë me eksperiencë, ku dimë të vlerë sojmë çdo ndeshje njësoj.

Cilin nga rivalët e shihni si më të rrezikshëm për titull?

Ne kemi rival vetëm Kukësin, sepse do të fokusohemi te ndeshja e së dielës. Ndeshje pas ndeshjeje do t’i shohim se cilët mund të jenë rivalët më të fortë dhe më pak të fortë. Unë e thashë që në këtë kampionat nuk ka diferenca.

Fakti që pësoni pak gola, mjafton kjo për të shkuar te titulli?

Ekipi ka luajtur mjaft mirë në fazën e mbrojtëse, kemi bërë presion shumë lart, duke mos lënë kundërshtarët të organizojnë lojën e tyre. Disa shprehen se Teuta ka mbrojtje të fortë sepse luan në mbrojtje, por jo. Ne kemi mbrojtje të fortë, sepse presojmë lart, nuk lejojmë ekipet të na afrohen te porta.