Në prag të ndeshjes të së shtunës ndaj Partizanit, që do të luhet në orën 20:00, ka folur mesfushori i Teutës, Emiliano Vila. Ai thekson se skuadra durrsake, pas dy muajsh përgatitje intensive, është gati për të kërkuar fitoren dhe se më e rëndësishme në këtë moment është marrja e pikëve.
A është gati Teuta për duelin ndaj Partizanit?
Nuk ka ndeshje të lehta në Superiore, pasi çdo rival është i rrezikshëm. Jemi duke bërë analizën e duhur për këtë sfidë dhe po mundohemi të jemi gati për të shtunën. Pas dy muajsh përgatitje shumë të mirë, duhet të marrim një rezultat pozitiv
Sa do të ndihmonte një fitore në javën e parë?
E dimë që është shumë e rëndësishme, sidomos për ne që kemi ndeshjen e parë. Përballë kemi një skuadër të fortë dhe pretendente, ndaj duhet të vazhdojmë të punojmë fort për të arritur suksesin.
Si po përgatiteni për këtë ndeshje?
Si për çdo sfidë tjetër: kujdes për aspektin mbrojtës dhe atë ofensiv. Normalisht, për të fituar duhen bërë gjërat e duhura. Personalisht ndihem gati.
Teuta është e plotë, si e shihni ekipin me afrimet e reja?
Sigurisht është pozitive që të gjithë jemi 100%. Situata është shumë e mirë. Mund të them se edhe afrimet janë përshtatur goxha mirë me pjesën tjetër të grupit. Në ekip mbizotëron besimi dhe entuziazmi, gjë që na jep shpresë për ndeshjen e ardhshme.
Cilat janë objektivat për këtë sezon?
Qëllimi primar është përmirësimi dhe deri më tani ia kemi dalë me sukses. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të fitojmë sa më shumë prej tyre. Llogaritë në fund të sezonit do të tregojnë se çfarë kemi arritur.





