Pas një fitoreje të rëndësishme në transfertë ndaj Tiranës, atmosfera te Teuta është mjaft pozitive. Skuadra duket se ka gjetur qetësinë e munguar prej javësh dhe tani kërkohet vazhdimësia në sprintin final të sezonit, me shpresën për të realizuar objektivin. Mesfushori Emiliano Vila, një nga pikat kyçe të repartit të mesfushës, flet për suksesin ndaj kryeqytetasve, analizon ndeshjen dhe ndalet te pritshmëritë për përballjen e radhës ndaj Flamurtarit në Durrës, ku durrsakët synojnë të zgjasin serinë e rezultateve pozitive. Pas 25 javësh kampionat, teuta mban vendin e gjashtë në renditje me 33 pikë, tre më pak se Dinamo dhe Partizani që ndajnë vendet katër dhe pesë.

Emiliano, një fitore shumë e rëndësishme në transfertë ndaj Tiranës. Si e përjetuat këtë sukses?

Fitorja ndaj Tiranës ishte shumë e rëndësishme për ne, si për moralin ashtu edhe për objektivat që kemi këtë sezon. E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë, në një fushë delikate dhe përballë një kundërshtari me histori. Hymë në fushë maksimalisht të përqendruar dhe besoj se e menaxhuam mirë ndeshjen në të gjitha aspektet.

Cili ishte aspekti që bëri diferencën në atë përballje?

Mendoj se diferencën e bëri organizimi taktik dhe shpirti i skuadrës. Ishim kompaktë në mesfushë, fituam shumë duele dhe shfrytëzuam momentet tona. Kur luan si grup dhe sakrifikon për njëritjetrin, rezultatet vijnë.

Si e vlerësoni paraqitjen tuaj personale?

Gjithmonë mundohem të jap maksimumin për ekipin. Roli im është të krijoj ekuilibër në mesfushë, të ndihmoj në ndërtimin e lojës dhe në fazën mbrojtëse. Jam i kënaqur kur skuadra fiton, sepse kjo është më e rëndësishmja.

Tani vjen dueli me Flamurtarin në Durrës. Çfarë prisni nga kjo sfidë?

Do të jetë një tjetër ndeshje e fortë. Flamurtari është një ekip luftarak që nuk të fal. Ne do të luajmë në shtëpi dhe kemi detyrimin të marrim maksimumin e pikëve. Duhet të jemi të përqendruar nga minuta e parë deri në fund.

Sa e rëndësishme do të jetë mbështetja e tifozëve?

Shumë e rëndësishme. Në Durrës ndiejmë energjinë e tifozëve tanë dhe kjo na jep një shtysë më tepër. Shpresoj që stadiumi të jetë i mbushur dhe t’i gëzojmë me një tjetër rezultat pozitiv.

A mund të na e tregoni objektivin e Teutës në këtë sezon?

Objektivi ynë është të jemi sa më lart në renditje dhe të luftojmë në çdo ndeshje. Kampionati është i gjatë, por me vazhdimësinë e duhur mund të arrijmë gjëra të rëndësishme.