Teuta arriti një fitore dramatike në “Niko Dovana” ditën e diel, kur mundi 2-1 Bylisin, falë dopietës së Emiliano Vilës. Durrsakët kanë siguruar kështu trepikëshin e parë të këtij kampionati, por iu desh të djersinte shumë. “Veterani” Vila, me një gjuajtje të saktë brenda zonës vendosi ndeshjen, kur kishte mbetur vetëm 1 minutë nga koha e rregullt. Lojtari i ndeshjes është shprehur shumë i lumtur që i dha 3 pikët Teutës.

Emiliano, e nisët mbarë kampionatin me atë fitore ndaj Bylisit. Si ndiheni?

Fillimi i mbarë dihet që është gjysma e punës. I përgëzoj shokët për shpirtin e garës që treguan, pasi Bylisi na i vështirësoi shumë punët, por në fund morëm tri pikët dhe për këtë jam i lumtur. Në futboll ajo që ka rëndësi janë rezultatet, por ne duhet të vazhdojmë të përmirësohemi. Ekipi ka bërë ndryshime dhe prurjet e reja janë ingranuar si duhet me pjesën tjetër.

Sa i kënaqur jeni me formën e treguar dhe dy golat e fitores?

Një futbollist asnjëherë nuk duhet të jetë 100% i kënaqur me formën e vet, pasi synon gjithmonë të japë më shumë. Të them të drejtën, jam përshtatur mirë dhe po ndihem i kënaqur, besoj se me kalimin e kohës do të jap më shumë.

Ndeshja e radhës është me Elbasanin, që rikthehet në Superiore pas shumë vitesh…

Është një sfidë e vështirë, por për ne është thjesht ndeshja e radhës. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet. Duam ta fitojmë edhe këtë duel dhe shpresoj t’ia dalim.

A do t’u kënaqte edhe një barazim në këtë ndeshje?

Teuta është e ndërtuar për të fituar çdo ndeshje, kundër çdo ekipi tjetër. Nuk jemi të kënaqur me barazimin, do të kërkojmë maksimumin në këtë takim. Do ta studiojmë mirë Elbasanin për ta goditur në pikët e dobëta. Do të jetë një përballje vërtet interesante.