Tiranë, 14 qershor 2014– Pas disa javësh mohim për ndarjen, çifti i njohur Arjon Muça dhe Viola Spiro nuk mund ta fshehin më faktin që s’janë bashkë. Burime shumë pranë çiftit kanë konfirmuar për “Panorama plus” lajmin se tashmë ata për njëri-tjetrin janë thjesht “ish”, ndërkohë që kanë rënë dakord të mos flasin në media për arsyet pse i dhanë fund lidhjes së tyre trevjeçare.
Si fillim, pas publikimit të lajmit se kishte ndodhur një krisje mes çiftit, ata të dy e mohuan duke sqaruar se nuk ishin ndarë, por thjesht kishin pasur një zënkë si të gjithë çiftet e dashuruara, situatë pas së cilës në inat e sipër kishin fshirë fotot nga profilet që kanë në Instagram.
Por pas këtyre zënkave normalisht duhet të kishte pasur një pajtim, duke vazhduar normalisht jetën të dy, ashtu si më parë, kur i shihje gati 24 orë në 24 bashkë. Por çifti i bukur Arjon dhe Viola, të cilët nuk mungonin në asnjë event në Tiranë ku shtrohej tapet i kuq, tashmë shfaqen të vetëm.
Pas mohimit të ndarjes nga Arjoni, pyetëm Violën dhe ajo u përgjigj se nuk ka asnjë koment për lidhjen personale, përveçse është shumë e zënë me punën në televizion për sportin dhe Botërorin, ku do të jetë në studio me Alban Xhihanin. Viola konfirmon lajmin që gjatë sezonit të ri televiziv nuk do të jetë më velinë e “Fiks Fare”, pasi tashmë e ardhmja e saj televizive i takon gazetarisë sportive.
Duket se Arjoni dhe Viola do të jenë tani e tutje në konkurrencë televizive si moderatorë, Viola në Top Channel, ndërsa Arjon Muça në Vizion Plus. Ish-finalisti i “Dancing with the stars” po përgatitet për të moderuar një shoë veror, me një skenë të instaluar në plazhin e Himarës. Këtë javë në Tiranë ai përjetoi dhe emocionet për herë të parë si aktor protagonist në shfaqjen e premierës së filmit “Tirana 14”, ndërsa luante djalin që e dashura e tradhtoi me shefin e saj.





