Me tingujt e violinës, Kledis Rexho dhe grupi që e shoqëronte krijoi një atmosferë paqeje tek artdashësit që e ndoqën live mbrëmjen e së martës. Jo më kot edhe festivali i iniciuar prej tij ka emrin “Violina e paqes”. Pas vitesh të tëra interpretim për publikun e huaj, në Francë dhe Luksemburg, Kledisi ndihej plot emocioneve para artdashësve durrsakë.

Në festivalin që mbrëmë hapi siparin e tij, Kledisi shoqërohej edhe nga shumë kolegë të huaj, por edhe instrumentistët e vegjël të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës dhe liceut artistik në Tiranë.

“Kemi koncertin e parë sot në hotel “Adriatik” Durrës, në një ambient të mrekullueshëm. Instrumentistët kanë ardhur nga Franca, Polonia dhe Rumania. Ata kanë luajtur në festivale të ndryshme në Vienë, Nju Jork etj. Ndërsa muzikantët shqiptarë i kam njohur gjatë studimeve të mia këtu. Mjaftoi një telefonatë dhe ishin të gatshëm. Po ashtu kemi nxënësit e talentuar të shkollës “Jan Kukuzeli” dhe liceut të Tiranës. Po mundohemi të marrim nxënësit më të motivuar, të cilët kanë dëshirë të avancojnë më tej. Po u bëjmë kurse me profesorë të njohur në Paris, Nju Jork, Ohajo si dhe masterclass falas, sepse ky projekt ka dhe pjesën pedagogjike të tij, jo vetëm interpretimin”,– thotë Kledisi për “DurrësLajm”.  

Prej kohësh, ai e mendonte një festival në Shqipëri, por nuk mbyllet gjithçka vetëm me koncerte, sepse Kledisi ka menduar edhe diçka tjetër.

“Duam të krijojmë ura, bashkëpunime të reja përtej zonës së studentëve. Pse jo një ditë t’i shohim këta studentë të marrin pjesë në programin pedagogjik, në orkestrat ku unë jam sot, në filarmoninë e Luksemburgut, në radio France etj. Do ishte kënaqësia më e madhe”,- thotë Rexho..

Koncerti startoi me sinfoninë nr.7. të kompozitorit arbëresh Llukë Sorga, për të vijuar më pas me vepra të njohura klasike të kompozitorëve të famshëm si Vivaldi, Bach, Pjetër Gaci etj duke dhuruar për admiruesit e muzikës së dhomës momente mbrësëlënëse.

Projekti i Kledis Rexhos “Life and Music Concept” mbështetet nga një shoqatë franceze me të njëjtin emër dhe ka karakter artistik, pedagogjik dhe sensibilizues.

M.B.