27 nëntor 2015 – Violinisti Florian Vlashi këto ditë ka zhvilluar një koncert – bisedë në qytetin Santiago de Compostela (Spanjë).

Në një auditor të mbushur plot e përplot, artisti i njohur shqiptar që jeton nga viti 1992 në Korunja, ka referuar mbi violinën bashkëkohore dhe teknikat e reja të interpretimit. Sipas gazetës “El  Correo Gallego”, violinisti Vlashi ka interpretuar më pas një sërë pjesësh nga autorë të njohur si Mesian, Xenakis, Crum, Cage, Tsepkolenko dhe Bule, si dhe premierën absolute të veprës së autorit shqiptar Vaso Tole.

Nuk është hera e parë që violinisti 52-vjeçar prezantohet si lektor dhe studiues i violinës. Në vitin 2012 ai paraqiti bisedën – leksion “Matematika dhe muzika”, duke ngjallur interesin e qindra nxënësve gjatë koncerteve në disa qytete të Spanjës, si dhe në koncertin e organizuar në teatrin “Aleksandër Moisiu”” në Durrës.

Që nga viti 1992 Florian Vlashi dhe familja e tij jetojnë e punojnë në Spanjë. Përveç punës së përditshme në Orkestrën Sinfonike të Galicisë, violinisti shqiptar ka hedhur disa hapa të tjerë, mjaft të rëndësishëm për karrierën e tij si solist dhe dirigjent. Në vitin 1996 ai themelon grupin instrumental “Shekulli XX”, me instrumentistë nga 11 vende të botës, në repertorin e të cilit përveç partiturave të autorëve botërorë të shekullit që lamë pas si Stravinski, Bartok, Schoenberg, Debussy, do të zinin vend edhe veprat e kompozitorëve shqiptarë Çesk Zadeja, Hajg Zacharian, Feim Ibrahimi, Edmond Buharaja, Zeqirja Ballata, Akil Koci, Rafet Rudi e Thoma Simaku.
Në vitin 2003, së bashku me Redianën, bashkëshorten e tij violonçeliste, dhe me një grup miqsh artistë ai ndërmerr nismën për organizimin e Bienales “Netët e muzikës klasike”, veprimtari që ka mbërritur në edicionin e 7-të të saj.

/portali DurresLajm/