· 1-8 gusht 2013, edicioni i 6-të i bienales 700 vjet – nga Kukuzeli në ditët tona / kështu qyteti bregdetar ka kontribuar në muzikën shqiptare dhe atë evropiane
· Por ende nuk është zgjidhur mbështetja financiare për një veprimtari që nderon çdo njësi administrative në Evropë e më gjerë
DURRËS, 17 qershor 2013 – “Ne duam t’i ngremë qytetit të Durrësit një monument tingujsh”, kështu deklaron nga Spanja muziktari me famë ndërkombëtare, Florian Vlashi, organizator i veprimtarisë së përdyvjetshme (bienale) “Netët e muzikës klasike”.
Festivali “Netët e muzikës klasike” në Durrës ka mbërritur në edicionin e 6-të të tij, çka përkon edhe me 10-vjetorin e krijimit të tij.
Në një intervistë nga Spanja për gazetarin e ATSH-së Gëzim Kabashi, ideatori dhe drejtuesi i bienales, Florian Vlashi, thotë se programi për edicionin 2013 është përgatitur prej kohësh, megjithëse nuk ka pasur përgjigje konkrete për mbështetjen financiare të veprimtarisë, e cila është pjesë e përhershme e kalendarit veror të qytetit bregdetar.
Violinisti durrsak që punon prej 21 vjetësh në orkestrën simfonike të Galicisë në Korunja (Spanjë), dhe bashkëpunëtori i tij, kompozitori, artisti i merituar Hajg Zacharian, e kanë emërtuar edicionin e këtij viti “Durrës: 700 vjet muzikë, nga Kukuzeli në ditët tona”.
“Netët e muzikës klasike 2013” do të organizohen nga 1-8 gusht 2013 dhe do të kenë në program një sërë veprimtarish shumë interesante, që përbëjnë risi, ndërsa do të interpretohen mjaft vepra premierë për Shqipërinë.
“Nata e muzikës së vjetër” do t’i kushtohet Jan Kukuzelit (rreth viteve 1280-1360), – shprehet Florian Vlashi, duke shtuar se në këtë edicion është programuar “Nata e muzikës mesjetare” sipas librit me lutje liturgjike korale “Antifonari” me autor, durrsakun Gjergj Danush Lapacaj (shek. 16).
“Edhe “Nata e muzikës baroke” është “ndërtuar” me arshivën e familjes Durazzo, e cila ka një emër të nderuar në Itali që nga shekulli 18-të, vijon Florian Vlashi.
“Arti i violinës”, veçanërisht zhvillimi i tij në Durrës, do të jetë tema qendrore e koncertit me titull “Nata e muzikës shqiptare”, – tregon violinisti i njohur Vlashi, i cili ka parashikuar një spektakël të pazakontë me motivet e muzikës së Jan Kukuzelit.
“10 kompozitorë nga Durrësi do të shkruajnë secili me variacione mbi një korale të muzikantit të shquar mesjetar.
“Ne duam t’i ngremë qytetit të Durrësit një monument tingujsh”, – nënvizon artisti shqiptar, që jeton dhe punon prej më shumë se 20 vjetësh në Spanjë.
Në vitin 2003 “Netët e muzikës klasike” ishin e para veprimtari e muzikës klasike në Durrës dhe organizatorët po kërkojnë mbështetjen e domosdoshme financiare për të realizuar objektivat e tyre artistike.
Thuajse të gjitha veprat do të jenë premierë në Shqipëri, ndërsa instrumentistët pjesëmarrës do të jenë solistë durrsakë që interpretojnë në skena prestigjioze të botës.
Në koncertet e këtij edicioni do të jenë pjesëmarrës si në çdo bienale edhe artistë nga grupi instrumental “Shekulli XX”, që drejtohet në Korunja nga themeluesi i tij, Florian Vlashi.
Instrumentisti nuk ka harruar të programojë një leksion të veçantë me temë “Matematika dhe muzika”, në të cilin do të ftohen bashkë me prindërit, edhe nxënësit e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit.
Një pjesë e këtyre nxënësve do të konkurrojnë për çmimin e parë në “Natën e yjeve të rinj”, duke fituar si përherë të drejtën e një koncerti në Spanjë në vjeshtën e këtij viti.
“Këto koncerte do të jenë një dëshmi e kontributit të jashtëzakonshëm që ka dhënë ky qytet në muzikën shqiptare dhe atë evropiane e, në të njëjtën kohë, do të jenë shprehje e mirënjohjes së thellë dhe e një borxhi moral që të gjithë ne, muzikantët dhe artdashësit, i detyrohemi qytetit tonë”, – nënvizon artisti durrsak, i cili kthehet çdo dy vjet në Durrës me bashkëshorten Rediana dhe dy djemtë, Danielin dhe Martinin, që të gjithë instrumentistë pjesëmarrës në edicionin e “Netëve…” të këtij viti.
Violinisti Florian Vlashi, i formuar në shkollën e mesme artistike të qytetit tonë dhe në Institutin e Arteve (sot Universiteti i Arteve) në Tiranë, është një nga artistët më aktivë në skenat ndërkombëtare, njëkohësisht drejtues i festivalit me traditë 10-vjeçare “Netët e muzikës klasike” në Durrës.
/g. k. / th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





