Violinisti i njohur shqiptar, Jonian Ilias Kadesha, do të performojë sot në mbrëmje në Tiranë, për publikun kryeqytetas. Në sallën koncertale të Katedrales Orthodokse, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të hapë sezonin e ri artistik, me pjesëmarrjes speciale të violinisti me origjinë shqiptare, i cili shoqërohet edhe nga dy miqtë e tij artistë, dirigjentin Jonathan Bloxham dhe violinçelisten Vashti Hunter.
Para koncertit, violinisti Kadesha u prit në takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
“Dua të të jap një dhuratë të vogël si çun Tirone që je, edhe pse ke lindur jashtë, po genin dhe gjakun e ke tirons: Kjo është Kulla e Sahatit të Tiranës. Pavarësisht vendit ku do të jesh duke performuar, ky sahati ynë i vogël tregon gjithmonë orën e Tiranës. Prandaj, sa herë që të kthehesh te tavolina ose bufeja ku do e vendosësh, do kujtohesh sa është ora në Tiranë dhe se sa i mirëpritur je këtu. E jap këtë Kullë në emër të qytetit, si shenjë mirënjohje, admirimi e respekti për ty”, tha Veliaj.