Një bazë kokaine është zbuluar nga policia greke në zonën e Alimos në Athinë, ku u arrestua një shqiptar dhe 17 persona të tjerë.

Policia greke kishte marrë informacione se një kazino shërbente si kamuflim për të shitur kokainën te klientët VIP. I gjithë operacioni u zhvillua në fshehtësi të plotë dhe ishte mbajtur sekret. Ishin rreth 40 policë që morën pjesë në aksion. Të veshur civilë për të mos rënë në sy, disa prej tyre hynë në lokal si klientë për të blerë drogë.

Në këtë moment, policia arrestoi 32-vjeçarin shqiptar, i cili akuzohet si poseduesi i kokainës dhe që furnizonte konsumatorët me lëndë narkotike. Gjithashtu, një grua 45-vjeçare nga Gjeorgjia akuzohet si një nga përgjegjëset kryesore të këtij rrjeti kokaine.

Ndërsa pjesa tjetër e të arrestuarve janë 3 punonjës të lokalit si dhe 13 klientë VIP që blinin kokainën. Në mesin e këtyre klientëve janë disa personazhë të njohur në Greqi. Një këngëtare e famshme, një tjetër këngëtar i njohur, një 69-vjeçar menaxher i një këngëtari, një e moshuar 80-vjeçare etj. Mediat greke nuk kanë bërë të ditur identitetin e tyre.

Kazinoja ku zhvillohej aktiviteti kriminal kishte dy hyrje si dhe ishte e rrethuar nga kamera të shumta sigurie. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi disa doza kokainë. Autoritetet thonë se ky biznes ilegal qarkullonte nga 20 mijë deri në 30 mijë Euro në muaj. /tvklan.al/