20 dhjetor 2014 –  Viron Bezhani, i biri i Nazif Bezhanit, kryetarit të komisionit të famshëm për verifikimin e zyrtarëve të lartë, në një prononcim për gazetën “Sot”, deklaroi se në Parlamentin Shqiptar, kanë mbetur edhe 14 spiunë të Sigurimit të Shtetit.

Nga aksesi në dosjet e sigurimit dhe nga bisedat me babain e tij, Viron Bezhani pohon se 10 për qind e deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë, janë spiunë të sigurimit të shtetit. Bezhani pohon më tej se dosjet e sigurimit të shtetit janë zhdukur.   Por, sipas tij, asnjë dosje nuk mund të zhduket plotësisht pasi emri apo nofka e një individi figuron në dosjen e një individi tjetër. “Rreth 10 përqind e spiunëve të sigurimit të shtetit ndodhen në Parlament. Aty janë. Mesa di unë, siç më thoshte im atë, dosjet e sigurimit të shtetit janë zhdukur. Më thoshte se i kishin humbur dy skeda, dosje. Por, ato edhe gjenden. Po të gërmosh, të punosh pak te persona të tjerë, do e gjesh dhe atë emër që kërkoje. Nuk zhduken dot dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, pasi secili ka në regjistër germën e tij. Germa jote të del tek emri të cilin t’i e ke futur në burg. Çdo gjë gjendet, pavarësisht se ata e kanë hequr dosjen e vet si person”, deklaroi Bezhani. Më tej, ai u ndal te drafti i prezantuar disa ditë më parë nga Ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj. Sipas Bezhanit, drafti gjerman është më i miri. “Modeli gjerman për mua është më i miri. Vetëm me modelin gjerman, ti ke mundësi të bësh diçka. Edhe ne aty po shkojmë. Ndonëse, ne ashtu duhet të kishim bërë me kohë, të kishim vënë në zbatim draftin gjerman. Janë bërë shumë pisllëqe, dhe ato duhen thënë”, u shpreh më tej Bezhani.   3 mënyrat   Djali i kryetarit të komisionit të famshëm për verifikimin e zyrtarëve të lartë, theksoi se janë tre mënyra që një individ ka për të përgënjeshtruar atë çka është shkruar në dosjen e sigurimit.  

“Ekspertët, ku hynte dhe im atë, janë të vetmit që mund të bëjnë diçka. Nuk mundesh të bësh dot një draft tjetër për hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit, Modeli gjerman është ai i duhuri. Pse e them këtë? Sepse, në momentin që ty të del emri në x dosje, ti ke mundësi që ta përgënjeshtrosh, të thuash që: kanë mashtruar, dhe mund të përdorësh tre mënyra për të vërtetuar se për ty kanë mashtruar. Në sistemin gjerman, çdo njeri që ka pasur probleme dhe që dyshon se ka pasur dosje, mund të shkojë të shohë këtë dosje dhe nëse ai sheh se ka diçka jo të vërtetë, ai mund ta kërkojë ligjërisht, se këtu kanë gënjyer. Mund të thotë se, kush e ka dhënë këtë dëshmi, sepse janë të rreme”, theksoi ai.

Viron Bezhani ka kërkuar me forcë hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit, një prej të cilave është edhe dosja “Viron Bezhani”. “Unë do të thoja që, gjëja më e mirë është që ato të hapen. Ka shumë variante në të gjithë botën. Një shtet i mban 100 vjet dhe i hap pas 100 vjetësh. Për mua, duhet të hapen disa prej dosjeve më kryesore, ku një prek tyre është dhe dosja Viron Bezhani, etj”, u shpreh Bezhani. 

/gazeta "Sot"/