Më shumë se 350 pacientë paraqiten çdo ditë pranë Urgjencës së Spitalit Rajonal Durrës të prekur nga virozat e stinës. Sipas shefit të urgjencës, Gjergj Qerimi, pjesa më e madhe e pacientëve që i drejtohen ambienteve spitalore për të kërkuar ndihmën e bluzave të bardha kanë probleme të traktit respirator, temperaturë të lartë etj.
Situata është goxha e ngarkuar me pacientë që shfaqin simptomat e gripit stinor. Mesatarisht 350 pacientë paraqiten në Urgjencën e SRD-së në 24 orë”, – thotë mjeku Qerimi për “DurrësLajm”.
Ditët e para të janarit janë shumë të ngarkuara me punë për stafin e urgjencës, pasi shumë nga pacientët e sëmurë dynden në dyert e spitalit duke evituar mjekun e familjes.
Për të evituar pritjet e gjata, mjeku Qerimi rekomandon që pacientët me simptoma më të lehta t’i drejtohen mjekut të familjes, ndërkohë që grupet e riskuara nga sëmundjet kronike duhet të bëjnë çdo vit vaksinën e gripit.
Virozat e stinës që shfaqen gjatë periudhës së dimrit prekin fëmijët dhe të rriturit kryesisht në aparatin respirator dhe atë gastro intestinal.
M.B.