Mbrëmjen e së enjtes u ndanë në Teatrin Kombëtar në Tiranë çmimet kombëtare të Letërsisë që vlerësojnë autorët dhe veprat e tyre gjatë vitit 2011. Shkrimtari Visar Zhiti u vlerësua në këtë edicion me çmimin e madhe të letërsisë për purjet në nivel të lartë artistik e estetik që ka përcjellë në Letërsinë bashkëkohore shqipe, nëpërmjet korpusit letrar të veprës së krijuar prej tij.
Gjatë dorëzimit të çmimit, Ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, u shpreh se shkrimtari Visar Zhiti, më tepër se një çmim për karrierën meriton një çmim për vetë jetën e tij.
Shkrimtari i njohur Zhiti, duke falenderuar jurinë për vlerësimin, u shpreh se ky çmim është një dëmshpërblim shpirtëror nga Shqipëria e re për vuajtjet e tij.
Në këtë mbrëmje kushtuar letërsisë, juria e përbërë nga personalitete të njohura të letrave, nën kryesimin e Amik Kasoruhos dhe anëtarëve Sali Bashota, Eqerem Basha, Ali Aliu, Arjan Leka, Mimoza Hysa dhe Gentian Çoçoli, vlerësuan me çmime 10 autorë dhe përkthyes.
Në këtë edicion, një vëmendje e veçantë iu kushtua poetit Ali Podrimja, i ndare nga jeta pak muaj më parë. Me kërkesë të Ministrit të TKRS-së, Aldo Bumçi, Podrimja u vlerësua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me titullin e lartë " Nderi i Kombit".
Me çmimin "Petro Marko" për vitin 2011u vlerësua shkrimtari Zija Çela për romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”. Me çmimin "Mitrush Kuteli" u vlerësua shkrimtari Moikom Zeqo për vëllimin me tregime “Klepsidra”. Çmimi i poetit që mban emrin e "Lasgush Poradecit" iu dha poetit Rudian Zekthi për vëllimin me poezi "Panair".
Ndërkohë studiuesi Shaban Sinani u vlerësua me çmimin "Faik Konica” për veprën studimore "Camaj i paskajuar".
Çmimi "Gjergj Fishta" kushtuar eseistikës iu dha shkrimtares Mira Meksi, për librin eseistik “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura”. Me çmimin "Fan Noli" u vlerësuan përkthyesit Bashkim Shehu e Edlira Hoxholli për përkthimin mjeshtëror të veprës “Nokturnet e Kilit”. Ndërkohë një tjetër çmim për përkthimin që mban emrin "Jusuf Vrioni", iu dha përkthyesit të njohur Aleksandër Zoto, për kontributin e gjithanshëm në përkthimin dhe promovimin e dhjetra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhën dhe kulturë franceze.
Një tjetër çmim i rëndësishëm ishte dhe ai për shkrimtarët debutues që mban emrin "Migjeni", me të cilin u vlerësua Plator Ulqinaku për vëllimin poetik “Libri i qëndresës”.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar këtë edicion dhe letërsisë për fëmijë, duke vlerësuar me çmimin “At Donat Kurti” shkrimtarin Ruzhdi Gole për librin “Kureshtja për t'u rritur”, si një hop emancipues i zhanrit të letërsisë sonë për fëmijë dhe të rinj.
Ky edicion i Çmimeve Kombëtare të letërsisë, në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, pati përfshirje nga të gjitha trevat shqipfolëse. Si në përbërjen e jurisë, ashtu dhe shkrimtarët e përzgjedhur, ishin nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.