7 shkurt 2015 –  Me termin vitaminë B kuptohet një grup substancash, ndikimet pozitive të të cilave janë të mëdha në organizmin tonë. Ato janë thelbësore për funksionimin e mirë të mëlçisë dhe sistemit nervor, ndikojnë në metabolizmin e lipideve dhe proteinave dhe transformojnë karbohidratet në glukozë. Ky grup substancash na ndihmojnë të ndihemi më pak të lodhur, nxitin tretjen, luftojnë inflamacionet etj. Konsumimi i tyre nëpërmjet ushqimeve është i domosdoshëm. Në rast mungese, këshillohet përdorimi vitaminave në formë tablete.

Efektet pozitive

Sipas një studimi të kryer në Australi, vitamina B është një aleat shumë i fuqishëm i trurit, pasi përbën elementin bazë për një kujtesë të efektshme. Vitamina B është parë se ka ndikim të fortë kundër plakjes së trurit dhe Alzajmerit.

Vitaminat e grupit B janë disa. Vitamina B1 na vjen në ndihmë në rastet kur ndihemi të lodhur, të stresuar, nëse kemi dhimbje muskulore apo vështirësi në frymëmarrje.

Nëse vuajmë nga acarimet e lëkurës, duhet të jemi më të vëmendshëm ndaj vitaminës B2, pasi lufton me efikasitet inflamacionet.

Vitamina B3 ndihmon në rastet e mostretjes së ushqimit dhe të përzierat. Gjithashtu, është thelbësore për të garantuar mirëfunksionimin e aparatit tretës dhe hidratimin e lëkurës.

Vitamina B9 merr pjesë në metabolizmin e proteinave dhe sintezës së AND-së, duke luajtur një rol të rëndësishëm në funksionimin e sistemit nervor.

Vitamina B12 është thelbësore për sigurimin e rezervave energjetike të organizmit.

Vitamina B 17 përdoret në kërkimet shkencore që kanë të bëjnë me terapinë e tumoreve.

Ushqimet ku mund ta gjejmë

Vitamina B1 gjendet kryesisht te soja dhe drithërat, vitamina B2 gjendet te majaja e birrës, tek e bardha e vezës, bizelet dhe kosi. Ndërsa vitamina B3 gjendet me shumicë te mëlçitë, peshku dhe majaja e birrës.

Vitaminën B6 e gjejmë me shumicë te buka integrale, mëlçia e viçit, peshku, shpendët, thjerrëzat, spinaqi, banania etj.

Vitamina B12, përveçse te mëlçitë, mund të gjendet tek midhjet, haviari, salmoni i kuq, drithërat, peshku ton, qumështit dhe nënproduktet e tij. Ndërsa vitamina B17 mund të gjendet te kajsitë, luleshtrydhet, bathët, fasulet etj.