2012 është në ditën e fundit, por si ishte ky vit për Kosovën?. Në këtë vit për Kosovën veçanërisht theksohet fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Sfidat në 2013 janë dialogu me Serbinë dhe integrimi në BE.
Fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, dialogu politik me Serbinë, marrja e dokumentit të studimit të fizibilitetit nga Komisioni Evropian, fillimi i zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit me Serbinë dhe lirimi nga Gjykata e Hagës i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ishin zhvillimet më kryesore që u shënuan në Kosovë gjatë vitit 2012. Për udhëheqësit e institucioneve kosovare të gjitha këto zhvillime janë arritje për Kosovën, por,ngjarja që vazhdimisht theksohet si një ndër sukseset më të mëdha, është fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, që shënoi edhe plotësimin e kritereve që kërkoheshin nga pakoja e Marti Ahtisarit.
Një marrëdhënie e mirë mes Kosovës dhe Serbisë e imponuar edhe nga BE, ka bërë që kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai serb Ivica Daciç të takohen në tetor dhe në nëntor në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.
Të dy palët ranë dakord për vlerësimin se dialogu politik duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve, si dhe në përparimin e procesit të integrimit evropian, por dallimet mbi përkufizimin “normalizim” janë të dukshme.
Serbia nga ana e saj, vazhdon të kërkojë që çështja e veriut të Kosovës të trajtohet si çështje e veçantë në kuadër të dialogut, por, Prishtina zyrtare nuk është kundër. Megjithatë, të dy kryeministrat Thaçi dhe Daciç, ranë dakord që ta jetësojnë një marrëveshje atë për menaxhimin e integruar të kufirit, e njohur si IBM, në dy pika kufitare, në Jarinje dhe Merdare. Më 10 dhjetor marrëveshja e IBM-së, filloi të zbatohet pa ndonjë problem.
Por pavarësisht këtij bashkëpunimi, as Kosova e as Serbia nuk e morën atë që synuan nga Bashkimi Evropian: Serbia synonte të caktonte datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa, Kosova hapjen e bisediemeve për marrëveshjen e stabilizim-asociimit.
Në tetor 2012 komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Stefan Fyle, i dorëzoi Kosovës dokumentin e studimit të fizibilitetit duke premtuar që negociatat për marrëveshjen e stabilizim-asociimit mund të fillojnë shpejt, nëse Kosova vazhdon progresin
Fundi i vitit 2012 shënoi edhe me një ngjarje të rëndësishme për Kosovën: Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte, që më 29 nëntor e shpalli të pafajshëm ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj, gjykimi i të cilit me disa ndërprerje zgjati më shumë së shtatë vjet. Pavarësisht disa hapave të suksesshëm gjatë vitit 2012, nga janari 2013 Kosovën e presin sfida të reja: Vazhdimi i dialogut me Serbinë si dhe finalizimi i kritereve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të hapen bisedimet për nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së.