Një burrë australian që ka shpëtuar më shumë se 2 milionë foshnje përmes dhurimit të rregullta të gjakut dhe plazmës për dekada, ka vdekur në moshën 88-vjeçare.

James Harrison, gjaku i të cilit përmbante një antitrup të rrallë, vdiq në gjumë më 17 shkurt në një shtëpi pleqsh në shtetin australian të Uellsit të Ri Jugor, sipas Shërbimit Australian të Gjakut të Kryqit të Kuq, i njohur gjithashtu si Lifeblood.

Antitrupi në gjakun e Harrison u përdor për të prodhuar ilaçin anti-D, i cili u jepet grave shtatzëna, gjaku i të cilave mund të “sulmojë” foshnjat e tyre të palindura. Pa të, foshnjat mund të zhvillojnë sëmundje hemolitike të fetusit dhe të porsalindurit (HDFN), një çrregullim gjaku që mund të jetë fatal.

Pavarësisht neverisë së tij ndaj gjilpërave, Harrison filloi të dhuronte gjak në vitin 1954 në moshën 18-vjeçare, duke mbajtur një premtim që kishte bërë në moshën 14-vjeçare, kur mori transfuzione gjaku për të shpëtuar jetën si pjesë e një operacioni të madh.

Një dekadë më vonë, u zbulua se gjaku i tij përmbante një antitrup të nevojshëm për prodhimin e injeksioneve anti-D.

I njohur edhe si “burri me dorën e artë” , Harrison dhuroi gjakun dhe plazmën e tij 1,173 herë, pa humbur asnjë takim për më shumë se 60 vjet, derisa doli në pension në vitin 2018 në moshën 81-vjeçare.

“Shpresoj që të jetë një rekord që thyen dikush, sepse kjo do të thotë se ata janë të përkushtuar ndaj kauzës,” tha ai në atë kohë.

Në total, mbi 3 milionë doza anti-D duke përdorur gjakun e Harrison-it u janë perdorur tek 2 milionë nëna në Australi që nga viti 1967. Në vitin 1999, ai mori Medaljen e Urdhrit të Australisë në njohje të mbështetjes së tij për Lifeblood dhe programin anti-D.

Vajza e tij, Tracey Mellowship, e cila gjithashtu mori anti-D, tha se Harrison ishte një “humanitar në zemër”, duke shtuar se familja e saj “mund të mos ekzistojë pa donacionet e tij të çmuara”.