Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, në një mesazh urimi për pegagodët dhe studentët, u shpreh se ky vit akademik s’do jetë i lehtë pasi u regjistruan 20 mijë studentë më pak.
Tabaku e quan një tjetër rekord negativ që është produkt i largimit të shqiptarëve nga vendi.
Deputetja demokrate theksoi se “arsimi universitar reflekton dështimet e një pasnjëshme të reformave gjysmake dhe pa vizion të një qeverie që i bën ato për të larë gojën”.
Ndërsa u shpreh se degë të rëndësishme dhe të vjetra sa vetë njerëzimi, si matematika, janë kthyer në klasa që kanë më pak studentë se sa zyrat burokratike që i rregjistrojnë.
“Në këto kushte heroizmi i të rejave dhe të rinjve që nisin sot rrugëtimin por edhe i pedagogëve është më i rëndësishëm. Duhet të përpiqemi së bashku për ta ndryshuar këtë situatë pasi sa ka jetë ka edhe shpresë”, thekson ajo.
Postimi i plotë:
Shumë urime studentëve dhe pedagogëve në këtë nisje të vitit të ri akademik.
Nuk do jetë një vit i lehtë për sistemin universitar pasi 20 mijë studentë më pak janë rregjistruar në fakultete duke shënjuar një tjetër rekord negativ produkt i largimit të shqiptarëve nga vendi. Një rekord negativ për një shoqëri që ka 1 në 3 të rinj pa shkollim të lartë dhe pa punë.
Në 10 vitet e fundit është deshtuar së krijuari një sistem arsimor i drejtë, në përputhje me kërkesat e tregut. Degë si teknogjia e informacionit sot nuk janë ai motorri i ardhshëm i ekonomisë që duhej të ishin. Ndërkohë që degë të rëndësishme dhe të vjetra sa vetë njerëzimi, si matematika, janë kthyer në klasa që kanë më pak studentë se sa zyrat burokratike që i rregjistrojnë.
Arsimi universitar reflekton dështimet e një pasnjëshme të reformave gjysmake dhe pa vizion të një qeverie që i bën ato për të larë gojën. Reflektojnë mungesën e konkurrencës, meritokracisë dhe incentivat e një shoqërie që ndërton të ardhmen e vet nga bankat e fakultetit.
Ne duhet të bëjmë çdo gjë, për të investuar në arsim, e jo vetëm me fonde po për ta vënë atë në qendër të politikëbërjes e për ta kthyer në një sistem konkurues që nxjerr në treg profesionistë të zotë apo kërkues shkencorë. Universitetet reflektojnë kalbjen reale të një qeverisje dhe kapjen e saj nga interesa të vogla që nuk kanë aspak synim përparimin e dijes por pushtetin momental.
Në këto kushte heroizmi i të rejave dhe të rinjve që nisin sot rrugëtimin por edhe i pedagogëve është më i rëndësishëm. Duhet të përpiqemi së bashku për ta ndryshuar këtë situatë pasi sa ka jetë ka edhe shpresë!
Shumë suksese të rinjve në këtë rrugëtim të ri.