Një javë nga nisja e procesit mësimor 2018 -2019 në arsimin parauniversitar jo të gjitha godinat arsimore janë gati për pritjen e nxënësve në Durrës.
Disa shkolla janë në rikonstruksion e sipër e nuk do të mund të presin nxënësit. Një prej tyre është shkolla “Marie Kaçulini” në qendër të Durrësit, nxënësit e së cilës për të dytin vit me radhë do ta zhvillojnë mësimin turn i dytë të ndarë në dy shkolla të mesme.
Drejtoresha e Arsimit, Lindita Muka tha se nga katër shkolla të rikonstruktuara në dy vitet e fundit vetëm dy do të hapin dyert, “14 Nëntori” dhe “Jusuf Ferra”. Për shkollën e Arapajt, “Myslim Hidri”, ku u zhvillua protesta nga nxënës e prindër pak ditë më parë, është duke u negociuar për bazën materiale, ndërsa në shkollën “Marie Kaçulini” kantieri i ndërtimit është ende i hapur.
Por edhe dy godina të tjera kërkojnë rikonstruksion urgjent, shkolla “Jusuf Puka” në qendër të Durrësit dhe “Muharrem Dollaku” në Shijak.
Të gjtha objektet e tjerë arsimorë janë gati të hapin dyert. Shkollat janë lyer e janë bërë gati që në 17 shtator të presin mbi 60 mijë nxënës që ulen në bankat e arsimit parauniversitar.
K.H.





