Pas 2 viteve të vështira, me qytetin që u sfidua nga dy goditje të njëpasnjëshme, festat e fundvitit po i rikthejnë Durrësit lavdinë e dikurshme.

Qyteti bregdetar renditet i dyti pas Korçës, sa i përket rezervimeve në hotele e restorante për natën e ndërrimit të viteve.

Ndërsa vendimi më i fundit i Komitetit Teknik të Ekspertëve na tregoi se data 31 dhjetor do të jetë “Covid-Free”, operatori turistik, Blerim Norja tha për “DurrësLajm” se rezervimet kanë filluar masivisht që pas datës 15 dhjetor.

Ky vit është shumë mirë deri tani. Në fillim të dhjetorit kanë qenë pak skeptikë njerëzit, sepse nuk e kanë ditur nëse do të festoheshin Krishtlindjet dhe Viti i Ri, por pas datës 15 kanë filluar rezervimet masivisht”, tha Norja, menaxher i “Royal G Hotel & Spa”.

Në ndryshim nga vitet e shkuara, strukturat akomoduese këtë fundvit i kanë shpresat tek shqiptarët vendas dhe ata të Kosovës.

Këtë vit ka një ndryshim të vogël, sepse nëse vitet e tjera kishte dhe turistë, sidomos nga Bullgaria që vinin për Vitin e Ri në Shqipëri, këtë vit është një pakicë shumë e vogël që vjen nga jashtë, ne për momentin kemi një grup të vogël anglezësh  dhe pjesa tjetër janë shqiptarë vendas.

Ideja është që me datë 31 presim klientët shqiptarë për të festuar darkën Gala e normalisht për t’u akomoduar në hotel dhe me datë 1 presim pjesën e Kosovës, sepse ata i festojnë me datë 1 Vitin e Ri”, nënvizoi Blerim Norja.

Për të gjithë ata, që natën më të gjatë të vitit, do të preferojnë ta kalojnë në strukturat akomoduese të qytetit bregdetar, Blerim Norja thotë se kanë gati një paketë gjithëpërfshirëse për mbrëmjen Gala të 31 dhjetorit.

Ne kemi bërë një paketë gjithëpërfshirëse me pjesën e fasiliteteve, akomodimit, ushqimit, argëtimit dhe jemi munduar që të mbajmë një çmim po themi mesatar, as shumë të lartë, as shumë të ulët duke studiuar dhe konkurencën, apo le të themi tregun.

Ky vit besoj se do jetë i njejtë si vitet e kaluara dhe do të kemi kapacitetin 100%”, tha ai.

K.Gj