16 shtator 2013- Rreth 600 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm do të ulen sot në bankat e shkollës për nisjen e vitit të ri shkollor. Pjesa më e madhe e tyre janë të regjistruar në arsimin bazë, ndërsa pjesa tjetër do të ndjekin shkollat e mesme të përgjithshme dhe ato profesionale. Ndërkohë që, për shkak të situatës politike në të cilën ndodhet vendi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të të regjistruarve, numrin e fëmijëve që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës dhe të atyre që do të ndjekin arsimin bazë dhe të mesëm. Vitin e kaluar shkollor numëroheshin rreth 385 mijë nxënës në arsimin bazë dhe 146 mijë në atë të mesëm, ndërsa mbi 36 mijë fëmijë ishin regjistruar në klasën e parë. Mendohet që shifrat të jenë pak a shumë të njëjta me një vit më parë, ndërsa një vend të rëndësishëm zë edhe regjistrimi i fëmijëve të emigrantëve të kthyer.
Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha zgjodhi shkollën “Sami Frashëri”, për të shprehur urimin e tij për të gjithë nxënësit dhe mësuesit, që nisin sot vitin e ri shkollor. Basha theksoi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të investojë në infrastrukturën arsimore.
“Uroj nxënësit për një vit të mbarë e të suksesshëm. Bashkia e Tiranës po investon në infrastrukturën arsimore duke ndërtuar shkolla të reja. Do të investojmë për 9 palestra dhe 25 laboratorë të rinj”- është shprehur Basha.
Ministrja e re e Arsimit Lindita Nikolla dhe ajo e Kulturës Mirela Kumbaro vizituan “Liceun Artistik”, prej nga uruan të gjithë nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Nuk kishte më bukur se sa dita e parë e punës si ministre e Arsimit të përkonte me ditën e parë të shkollës. Sot pati edhe një veçanti në fakt që lidhet me këtë shiun që thonë është bereqet, por unë do të uroja që të ishte realisht një begati dijesh në këtë vit shkollor. Erdhëm këtu në Liceun Artistik për të uruar jo vetëm nxënësit e kësaj shkolle, mësuesit realizimin e pritshmërive të tyre për më shumë dije, për më shumë aftësi, për më shumë pasion për shkollën. Qeveria e re është e vendosur që programi i saj të jetë një program që lidhet me shkollën dhe me arsimin dhe me mirë edukimin e fëmijëve, të jetë një program i integruar. Politika do të mbetet jashtë dyerve të shkollës, por për arsimin do të bëhet politika më e mirë që lidhet posaçërisht me dijen, trajnimin e mësuesve.” –deklaroi ministrja Nikolla.
“Arti dhe kultura nuk janë vetëm produkt i artistëve, por vetë kultura dhe arti duhet të jetë pjesë e të gjithë popullatës. Edukata kulturore do të jetë pjesë e të gjitha programeve të institucioneve kulturore. Edukimi kulturor do të jetë një ndër motorët tanë më të fuqishëm dhe të gjithë do të jemi të bashkuar, me Ministrinë e Arsimit për të shtrirë në programet shkollore por dhe për ta përhapur në të gjitha format në të gjitha grupmoshat.”- deklaroi ministrja Kumbaro.





