Në ditën e parë të shkollës, një urim për nxënësit dhe stafet pedagogjike vjen nga kreu i PD Durrës, Igli Cara.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ku u uron një rrugëtim të mbarë, ku kryefjalë të mbetet dija, Cara ndalet në problematikat e sistemit arsimor në qytetin bregdetar dhe njësitë administrative të tij.
“Më pak nxënës, më pak mësues, më pak shkolla!
Kështu, ka nisur ky vit mësimor në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë!”,- shkruan Cara, ndërsa nënvizon se 14 shkolla, kopshte dhe çerdhe kanë mbetur “peng” i Rindërtimit.
“Si pasojë, për të tretin vit radhazi, nxënësit do ta zhvillojnë mësimin pasdite deri në mbrëmje vonë, pa anashkaluar një seri problemesh të tjera të lidhura me sistemin arsimor.”,– shkruan Cara, ndërsa postimin e tij e shoqëron edhe me një video ku shfaqen pamje filmike nga shumë prej shkollave të Durrësit, ku punimet për rindërtimin e tyre nuk kanë nisur ende.
Postimi i plotë:
Në këtë ditë të parë të shkollës, përzemërsisht i drejtohem çdo nxënësi, mësuesi, prindi, me dëshirën dhe urimin që të jetë një rrugëtim i mbarë, ku kryefjalë të mbetet dija!
Çdo vit mësimor është një moment i rëndësishëm për secilin prej nesh.
Mes shumë sfidash dhe të panjohurash, që na shenjojnë, por edhe përballë një realiteti të trishtë, që duhet ndryshuar!
Më pak nxënës, më pak mësues, më pak shkolla!
Kështu, ka nisur ky vit mësimor në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë!
Bazuar në të dhënat zyrtare, largimi masiv nga vendi i qindra mijëra familjeve shqiptare është një fakt kokëfortë, duke zbrazur shkollat që, për më tepër, në Durrës mungojnë.
14 shkolla, kopshte dhe çerdhe kanë mbetur “peng” i Rindërtimit dhe 7 objekte të tjera arsimore vazhdojnë të jenë në pritje të rikonstruksionit.
Si pasojë, për të tretin vit radhazi, nxënësit do ta zhvillojnë mësimin pasdite deri në mbrëmje vonë, pa anashkaluar një seri problemesh të tjera të lidhura me sistemin arsimor.
Ky është bilanci i këtij fillim viti mësimor në Durrës, ku ka pak vend për politikë, premtime apo entuziazëm!